Analisti Ben Andoni, i ftuar në Debat nga Alba Alishani, është shprehur se me rezolutën e Srebrenicës, sot Kombet e Bashkuara kanë rregulluar imazhin e tyre dhe këtë e arsyeton.
“Gjënë më të madhe e ka bërë vendimi i gjykatës së Hagës. Ka 50 njerëz që i ka pas hekurave me dënime të përjetshme. Këtu është mbyllur, madje është toleruar Serbia. Kjo e sotmja ishte patetike. E kam jetuar vitin 91 në Kroaci dhe e kam parë se çfarë ka ndodhur me luftën. Sot Kombet e Bashkuara rregullojnë imazhin e tyre. Ata 8 mijë veta që u masakruan në Srebrenicë, u masakruan edhe për shkak të apatisë dhe konfuzionit të paqeruajtësve të OKB-së, Troç! Por disa gjëra ne edhe nuk i themi. Prandaj them që është patetike. Sot u vendos edhe ajo që njerëzit prisnin”, thotë analisti.
Më tej, Andoni thekson se retorika që vjen nga Beogradi është e frikshme. “Sot që po flasim, kjo në Serbi po përjetohet si një lloj lavdie, jo thjesht prej gjestit shumë patetik të Vuçiç, shqetësues shumë i madh është retorika që vjen nga Beogradi dhe ajo që u artikulua sot ka qenë e frikshme. Shqetësues është listimi i vendeve dhe këtu Shqipëria do të jetë shumë e kujdesshme. Më kanë çuditur Emiratet, Hungaria po e po, abstenimi i Greqisë është i dhimbshëm. Përpara historisë, grekët duhet të tregonin që është populli që trashëgon parimet më të larta të demokracisë”, tha Andoni.
/a.r