Nënkryetari i grupit parlamentar të PS Taulant Balla i ka bërë thirrje Prokurorisë që të procedojë penalisht deputetin Genti Strazimiri, me akuzën e armëmbajtjes pa leje.
“Strazimirit duhet t’i hiqet mburoja politike dhe të përjashtohet. Prokurori i Përgjithshëm duhet të nisë menjëherë procedimin penal për Gent Strazimirin” ka thënë ai.
Taulant Balla, e cilëson të turpshëm qëndrimin e Partisë Demokratike lidhur me protestën e djeshme te Liqeni, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë. Sipas tij, kjo force politike nuk ka standarde, por “është e zhytur në mashtrim publik”. Duke folur për procesin e dekriminalizimit dhe qëndrimin e PD-së, deputeti socialist tha se Partia Socialiste në raste të ngjashme ka treguar standard të lartë.
“Partia Demokratike duhet të tregojë që e ka seriozisht dekriminalizimin. Kur janë kapur nga PS me shkelje, ne u kemi hequr imunitetin, ndërkohë që PD është pa standard… Nëse PD lidh Reformën në Drejtësi me parkun, do e gjykojë populli” ka thënë ai.