Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konfirmoi së nuk votojnë për të shpërndarë Kuvendin në mënyrë që të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë.
Nga partia e Ramush Haradinajt kërkojnë që kryeministri Albin Kurti të dorëhiqet ose të shkarkohet nga Kuvendi, si e vetmja rrugë për të çuar vendin në zgjedhje.
Sipas tyre, Kurti është duke bërë kalkulimet me diasporën që të organizojë zgjedhjet në kohën kur ata janë me pushime në Kosovë.
“Aleanca nuk e mbështet shpërndarjen e Kuvendit. AAK-ja kërkon shkarkim ose dorëheqjen e kryeministrit. Aleanca nuk e bënë këtë për shkak se kjo është një taktikë për të shkuar në zgjedhje në mes të korrikut, kur mendon Kurti se e ka diasporën këtu dhe kur i njëjti mendon që të ikë prej përgjegjësive dhe dështimeve që ka ndodh”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK, Besnik Tahiri.
AAK ka shprehur qëndrimin se janë të gatshëm të takohen me kryeministrin Albin Kurti por vetëm për tema me rëndësi për vendin dhe jo për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Aleanca për tema që janë të interesit nacional që ndërlidhen me interesin e qytetarëve të Kosovës pa dallim, për një temë të një rrezikut të sigurisë apo për një temë që do të ndihmonte anëtarësimin në KiE takohemi bash kur do e ku të do kryeministri Kurti.”
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës akuzoi Qeverinë e Kosovës se nuk ka punuar asgjë për të lehtësuar votimin e diasporës në ambasada dhe konsullata, ashtu siç parashihet me Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme, i cili është miratuar vitin e kaluar./m.j