Një person i paidentifikuar nga policia ka hedhur një kallëp eksplozivi drejtuar banesës së një 36 vjeçari në orët e vona të mbrëmjes. Shpërthimi i lëndës plasëse kishte për qëllim eleminimin e Roland Temës, i cili sipas uniformave blu, është person me precedent penal.
Fatmirësisht nga shpërthimi i ndodhur në banesën e 36 vjeçarit në fshatin Geps të Krujës, ka patur vetëm dëme materiale.
“Si pasojë e shpërthimit ka pasur vetëm dëme materiale, ku është thyer një xham i mjetit tip Fuoristradë ML, me targa AA 510 CB, në pronësi të Temës, i parkuar në afërsi të banesës”- njofton policia e Durrësit.
Efektivat e Policisë, po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve si edhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.