Nga Frrok Çupi
Amerika sapo tha se presim që PD të mos kthehet në atë “që na kujton ditët e këqija në Shqipërinë e viteve ’90!’. I dërguari i Departamentit të Shtetit, Escobar, foli në ‘Voice of America’.
1990: Çfarë ishte ai kob i zi që na erdhi me flatra të bardha, gjasme ‘demokraci’ dhe i shkaktoi vendit të keqen më të madhe deri më tash? Deri më sot, sa herë është folur për PD, edhe në ekrane, është folur si mbi gastaren e thyer sikur PD të ishte shenjtore. Në fakt u kthye në djallin më të madh për fatet e njeriut.
Tani po e thotë hapur edhe vetë Amerika, që i dha një dorë krijesës ‘optimiste’ të vitit 1990. PD e asaj ‘kohe të keqe’ tashmë po prek fundin; sa më shumë të pjesëtohet, aq më e vogël bëhet e keqja.
Në anën tjetër, autori që e ktheu ‘demokracinë’ në djall të zi, Sali Berisha, po tenton ta ‘rithemelojë PD-në’ prapë. Rithemelim do të thotë kthim te tragjikja e vitit 1990.
Bëjnë pyetje, mijëra njerëz bëjnë pyetje se ‘çfarë ndodhi me të keqen që duartrokitëm”? Ndodhi para syve të të gjithëve; disa u kthyen në xhelatë të të tjerëve dhe shumica viktima. Tanimë viktimat kanë gjetur ‘rrugën e tyre’, shërbëtorët e të keqes janë pak dhe të ligsht.
Ku nisi?
1.
Nisi me një psherëtimë që fillimisht u tha vesh më vesh e pastaj u kthye në direktivë. PD, sapo mori lajmin se ‘u ligjërua’ në qytetin Studenti nga gazetari i komunizmit Alfons Gurashi, e ktheu në direktivë. U urdhërua djegia dhe shkatërrimi i të gjitha ‘veprave të komunizmit’. U dogjën rreth 5000 uzina, fabrika, ferma, prodhimtari, punishte. Edhe 700 shkolla. Shkatërrimi i ekonomisë së vendit dhe ekonomisë individuale u kthye në kauzë. PD sajoji piramidat mashtruese dhe vjedhëse të Ponzit, mafie e 100 viteve më parë. U shemb e gjithë ngrehina e vendit. Kërkesa për shkatërrim vinte edhe nga agjencitë e vendeve armike.
Pastaj i hyri korrupsionit, me ‘cull e me mull’. Qeveria u kthye në organizatë mafioze, familja e Berishës u bë ‘bosi’ i organizatës kriminale. ‘Thmiu’ urdhëronte transaksione, larje parash, banka, biznese, vjedhje tokash…
Tani përsëri tenton të djegë Tiranën me dhjetë vetë.
Kurrë mos u ktheni në atë tragjedi- tha Amerika.
2.
Nisi me vrasjet, më të lakmuarat e qeveritarëve përbindësh. Që në ditën e parë të zgjedhjeve ‘demokratike’, sapo fitoi Shkodrën, PD vrau aktivistët e vet: Katër dëshmorë, mes tyre Ben Broci- aktivisti qytetar, i artë e i ndershëm. Ky do t’u bënte hije banditëve të PD.
Fëmijët e vrasësve, PD i dekoroi dhe tash i ka në krye të saj. Shkodra e vuajti plagën 30 vjet. Sali Berisha ishte në garë me vrasësit në pushtet gjatë historisë së shkuar. Enver Hoxha mbeti pas, Berisha vrau pa ligj, ndërsa ai të paktën kishte ligje ashtu si i kishte. Sot e kësaj dite, i arrestuar, nuk do t’ia dijë për ligjin.
U bënë mijëra në vargun që humbën jetën nën pushtetin e tij.
Të rithemelohet prapë tragjedia?
3.
Berisha hipi në krye të PD si një përdhunues. Ishte një natë janari në vitin 1991. Komisioni i Përkohshëm u mblodh pas mestnate për të zgjedhur kryetarin. U vunë në garë tre kandidatë: Gramozi, Leka dhe Saliu. Saliu humbi me vetëm dy vota, njëra e tij, tjetra e Azemit. Atëherë u çue krejt dynjaja më këmbë. Natë e frikshme, Saliu ulërinte e përplaste këmbët mbi dërrasat e zyrës.
Çfarë bënë ‘të mundurit’, të cilët fatkeqësisht quhen themelues të PD? Ishin 13. I premtuan Saliut: ‘Doktor, veç qetësohu. Ti do të jesh kryetar. Leka i tha se i fal votat e tij, por ky s’e pranoi. Atëherë, diku në shkurt, u bë një mbledhje tjetër me shumë njerëz nga zonat e vendit. Te dera e sallës qëndruan dy ‘personalitete demokratike’. Ata afronin veshin e të ardhurve te goja e tyre: ‘Voto Saliun se na mori lumi!’.
Saliu u mbart kryetar.
PD shkatërroi sistemin e zgjedhjeve, e lau me gjak dhe e ndoti në pisllëk.
Tani po del kryetare e bija.
… Atëherë të kthehet prapë te themelet e keqja?
Këtë alarm lëshoi Amerika.