Nga Kastriot Gj. Maca
Sikurse dihet, shërbimi i noterisë është shërbim juridik dhe publik, – i cili ushtrohet nëpërmjet hartimit të akteve juridike dhe ushtrimit të veprimtarive noteriale të tjera – , që ka për qëllim mbrojtjen e interesave të ligjshme të personave fizikë dhe juridikë në pajtim me Kushtetuten dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë, shërbim i cili për pasojë ndikon ditë për ditë në plotësimin e nevojave të qytetarëve dhe të biznesit .
Për pasojë, mendoj se ky shërbim publik është një ndër aktorët kryesorë që luan rolin më të rëndësishëm në funksionimin normal të jetës sociale dhe ekonomike të shtetit tonë. Prej gati 23 vitesh, unë ushtroj funksionin e noterit në qytetin Laç të Bashkisë Kurbin.
Në përvojën time relativisht të gjatë kam evidentuar dhe vazhdoj të evidentoj faktin se të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit, kanë vështirësi shumë të madhe për kryerjen e veprimeve noteriale, – në zyrat noteriale të vendeve ku jetojnë – , që kanë lidhje me njohjen, fitimin, realizimin dhe disponimin e të gjitha të drejtave pasurore dhe jopasurore, si dhe për përmbushjen e detyrimeve të ndryshme në vendin amë.
Mendohet se aktualisht jashtë shtetit jetojnë afërsisht 1.5 milion qytetarë shqiptarë, të cilët, në vlerësimin tim, janë pjesa më aktive dhe më vitale e kombit tonë. Për rrjedhojë ofrimi i këtij shërbimi publik nga shteti ynë do të ishte një përmbushje e një detyrimi si dhe një hall më pak për këta qytetarë shqiptarë.
Tanimë është bëre digjitalizimi gati tërësor i të gjitha shërbimeve publike të ofruara nga platforma elektronike qeveritare “e – Albania”, digjitalizim i cili duhet vlerësur për impaktin që ka në lehtësinë dhe modernizimin e marrjes me kosto minimale të shërbimeve publike për të gjithë shtetasit shqiptarë . Gjithashtu prej disa vitesh funksionon Regjistri Elektronik Noterial Shqiptar – NISA , i cili falë ndërlidhjes me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit,- e cila është arkitektura bazë mbi të cilën mundësohet ndërveprimi me sistemet elektronike të institucioneve publike që mundëson komunikimin midis bazave të të dhënave shtetërore, me qëllim ofrimin e shërbimeve elektronike -, ndërvepron me Zyrën e Gjendjes Civile, Regjistrin Publik të Pasurive të Paluajtshme,
Regjistrin e Barrëve Siguruese, Drejtorinë e Përgjithshme të Regjistrimit të Automjeteve, si dhe regjistrat e tjerë publikë për tërheqjen e informacionit të nevojshëm për hartimin e aktit dhe veprimit noterial, sipas legjislacionit në fuqi për bazën e të dhënave shtetërore.
Falë kësaj reforme ,- ndër më të suksesshmet për vendin tonë në fushën e shërbimeve publike -, si dhe ndërveprimit të Regjistrit Elektronik Noterial Shqiptar – Nisa me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit është krijuar edhe mundësia praktike, për të gjetur zgjidhjen ligjore, edhe për ofrimin e shërbimit noterial për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit.
Duke marrë parasysh faktet e mësipërme, propozoj që të hapen zyra noteriale pranë të gjitha përfaqësive diplomatike të Shqipërisë, ambasadat dhe konsullatat shqiptare, fillimisht në vendet ku ka përqendrimin më të madh të qytetarëve shqiptarë, – sidomos në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Britaninë e Madhe – , ku ata të mund të marrin këtë shërbim bazë, njëlloj sikur të gjithë qytetarë e tjerë që jetojnë në Shqipëri. Këto zyra do të ndihmonin bashkëkombësit tanë, sidomos duke marrë parasysh tarifat tepër të larta në para dhe kohë që iu nevojitet për kryerjen e veprimeve noteriale, marrjen e vulave apostille si dhe përkthimit të këtyre akteve.
Çmoj se do të ishte, gjithashtu, një zgjidhje gati jetike edhe për shumë qytetarë shqiptarë që aktualisht jetojnë pa leje qëndrimi në vende të ndryshme të Evropës, të cilët për shkak të këtij statusi e kanë të pamundur marrjen e shërbimeve noteriale nga zyrat noteriale të vendeve ku ata jetojnë.
Gjithashtu, nëpërmjet këtyre zyrave, mund të marrin disa prej shërbime të rëndësishme noteriale edhe bashkëkombësit tanë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Në këtë mënyrë, zgjidhja e këtij problemi do merrte përmasa dhe rëndësi kombëtare.
Dua të përmend këtu faktin se aktualisht shteti ynë ka lidhur marrëveshje me shtetin e Kosovës për njohjen e dokumenteve pa pasur nevojën e legalizimit dhe të apostillimit paraprak të dokumenteve, marrëveshje e cila i lehtëson dhe i bën të efektshme të gjitha shërbimet noteriale të ofruara nga zyrat noteriale në konsullatat shqiptare për bashkëkombësit tanë të Republikës së Kosovës.
Këtu gjej rastin të theksoj rëndësinë e lidhjeve në të ardhmen e afërt të marrëveshjeve respektive për njohjen e dokumenteve, pa nevojën e legalizimit dhe aplikimit të vulave apostile, edhe me qeveritë respektive të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Pra me jetësimin e kësaj nisme do të përfitonin shërbime noteriale edhe bashkëkombësit tanë në Kosovë, Mal te Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, fakt i cili i jep kësaj nisme edhe një karakter patriotik.
Krahas ndihmës së madhe për qytetarët tanë, këto zyra në një të ardhme të afërt do të sillnin edhe përfitime të mëdha financiare për buxhetin e shtetit tonë, si dhe do të lehtësonin shkëmbimet ekonomike dhe modernizimin e mëtejshëm të shërbimeve publike.
Prandaj, kam bindjen se përshtatja e legjislacionit shqiptar, me legjislacionin diplomatik e konsullor të parashikuar në konventat ndërkombëtare, për kryerjen e veprimeve noteriale për qytetarët shqiptarë në konsullatat shqiptare, do të krijonte lehtësime dhe mundësi të reja për qytetarët tanë që jetojnë jashtë shtetit si dhe për ekonominë dhe buxhetin e shtetit shqiptar.
Shumë i rëndësishëm është edhe fakti se aktet noteriale të qytetarëve shqiptarë do të ishin pronë dhe trashëgimi e shtetit shqiptar dhe jo e shteteve ku ata kryejnë veprimet e tyre noteriale.
Aktualisht është në proçes përgatitja e projekt ligjit të ndryshimeve ligjore që po mendohen t’i bëhen ligjit me nr. 110/2018, datë 20.12.2018 “Për Noterinë”, i ndryshuar, e për pasojë çmoj se ky është momenti i duhur për zgjidhjen e këtij problemi shumë të madh për të gjithë bashkëkombësit tanë që jetojnë jashtë shtetit.
*Noter