Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës Belinda Balluku ka inspektuar këtë të martë (21 maj) punimet në kantierin e hekurudhës Tiranë-Durrës.
Ministrja e konsideroi këtë projekt si një prej më të rëndësishmit, ndërsa shtoi se hekurudha është një prej mjeteve të transportit më miqësore me ambientin dhe me financat e qytetarëve.
“Një prej projekteve më të rëndësishme. Projekt i nisur prej kohësh me vonesë të konsiderueshme për pjesën e aprovimit të financimit. Sot kemi kantier me ecuri të kënaqshme.
Hekurudha një prej mjeteve të transportit miqësore me ambientin dhe financat e qytetarëve. Projekti i parë që mezi presim ta dorëzojmë”, tha Balluku.
Ministrja shpreson që në muajt në vijim të kenë përgjigje për rehabilitimin e linjës Durrës-Rrogozhin e më pas Rrogozhinë-Pogradec.
Ky projekt është i ndarë në katër seksione; fillon nga Durrësi në Shkozët, nga Shkozeti në Vorë, nga Vora në Tiranë dhe pjesa e katërt nga Kashari në Rinas.
Kjo e fundit, është dhe risia e këtij projekti, pasi lidh Aeroportin e Rinasit me Tiranën dhe Durrësin.
Falë kësaj linje hekurudhore, koha e udhëtimit Tiranë-Durrës do të jetë 22 minuta dhe Tiranë-Rinas vetëm 12 minuta.
/a.r