Saranda vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara turistike për turistët e huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Saranda, e cila theksoi kreu i qeverisë, mirëpret turistë nga e gjithë bota e vizitohet në të gjitha mënyrat duke qenë prologu i një viti turistik të shkëlqyer.
Qyteti i Sarandës njihet për plazhet mahnitëse dhe ujin si kristal. Përveç diellit e plazhit, Saranda veçohet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit nxit kureshtjen e turistëve të shumtë me historinë e tij mijëravjeçare.
Pranë portit ndodhet edhe Zyra e Informacionit Turistik ku ofrohen harta të posaçme guidimi, albume e manuale që i përgjigjen interesit të shtuar të pushuesve për të qenë sa më të informuar dhe sa më të orientuar gjatë lëvizjes së tyre me mjete të transportit publik, taksi apo në rrugë detare.
Vitet e fundit Shqipëria ka zënë një vend të rëndësishëm në mediet ndërkombëtare për sa i përket klasifikimit të vendit si një nga destinacionet turistike të preferuara për turistët huaj, ku spikatin qytetet si Ksamili, Saranda dhe Vlora.
/a.r