Skulptura monumentale “The Albanian Key”, një vepër publike mahnitëse nga mjeshtri shqiptaro-italian Alfred Mirashi-Milot, është në prag të përfundimit. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, solli në rrjetet sociale një album fotografish nga punimet për veprën.
Kjo kryevepër artistike, një ndër projektet fituese të Konkursit Ndërkombëtar “Art në Hapësirën Publike”, program nën kujdesin dhe financimin e Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, do të vendoset në hyrje të qytetit të Shkodrës, duke sjellë një dimension të ri estetik dhe kulturor. Përmasat e skulpturës janë mbresëlënëse. Çelësi do të jetë 20 metra i gjatë dhe 10 metra i lartë dhe simbolizon fuqinë dhe komunikimin përmes artit.
“Pas orësh të panumërta pune dhe përkushtimi, Alfred Mirashi – Milot dhe ekipi i tij i talentuar po realizojnë një vepër që do të hyjë në historinë e artit shqiptar. “The Albanian Key” mbart një mesazh të fuqishëm dhe të qartë: t’i japim fund dyerve të mbyllura dhe të hapim shanse për të gjithë, duke krijuar mundësi të barabarta për çdo njeri”, është shprehur ministri Gonxhja.
/a.r