Në zonën e Devollit është shfaqur sëmundja e zjarrit bakterial në drufrutorët, kryesisht mollë dhe dardhë.
Përgjegjësi i sektorit të bujqësisë dhe mbrojtjes të konsumatorit pranë Bashkisë Devoll, Ylver Bylykbashi tha se kjo është një sëmundje bakteriale shumë e rrezikshme që prek gjithë kulturat drufrutore.
“Nga monitorimet në terren dhe informacionet rezulton se në disa pemëtore ka prekje nga zjarri bakterial. Është sëmundje mjaft e rrezikshme pasi ka një përhapje infeksioni shumë të madhe me shpejtësi për shkak të kushteve atmosferike. Këtë vit është stimuluar për shkak të lagështisë”, thotw ai.
Sipas Bylykbashit, situata duhet mbajtur nën kontroll pasi sëmundja e zjarrit bakterial është sëmundje infektuese që përhapet me shpejtësi nga njëra pemë tek tjetra e favorizuar nga faktorët atmosferike.
“Duhet mbajtur në kontroll më monitorim të vazhdueshëm dhe informim për masat parandaluese. Zakonisht duke qenë objekt karantinor, mbajtja pastër e pemëtoreve, mos përdorimi i plehrave kimike, pastrimi i degëve të prekura, masat e luftimit me preparate të bakrit”, shprehet Bylykbashi.
Në një situatë si kjo kërkohet informimi i fermerëve që merrem me kultivimin e drufrutoreve për të trajtuar në kohën e duhur me preparate kimike sipërfaqet e mbjella.