Këto fotografi që realizohen njëherë-në-jetë tregojnë momentin kur një arushë polare bashkë me të vegjlit e saj dalin nga strofka e tyre. Fotografitë e mrekullueshme janë shkrepur nga Thomas Kokta, një fotograf i përkushtuar që kaloi më shumë se 11 ditë që arinjtë të dalin në sipërfaqe.
Në këtë përpjekje të tij për fotografitë e shkrepura në momentin e duhur, Thomas është përballur me erëra të forta, me temperatura deri në -55 gradë celsius dhe thotë të ketë qëndruar mbi folenë e tyre për mbi 250 orë pa ndonjë fat, raporton “MailOnline”.
Por, më në fund, siç shihet edhe në fotot, nëna bashkë me të vegjlit e saj dy-muajsh dolën për t’ia bërë qejfin Thomasit. Fotografi, me origjinë nga Hagen, Gjermani, ka vazhduar edhe për disa ditë tjera që të shkrep foto të arushave, duke i fotografuar ata duke luajtur në borën e freskët, duke u ambientuar me jetën jashtë folesë së tyre dhe duke i hipur njëri-tjetrit mbi shpinë, transmeton Koha.net.
Skenat janë kapur në Parkun Kombëtar Ëapusk, Kanada, i cili mbron një prej zonave më të mëdha botërore të populluar me arinj polarë.
Thomas, që tashmë jeton në Issaquah, Washington, SHBA, thotë se nënat arusha dhe të vegjlit e saj nuk dalin shumë në sipërfaqe në këtë fazë. “Të vegjlit janë vetëm dy muajsh dhe gjithçka për ta është e re – në fillim ata i qëndronin nënës së tyre shumë afër. Më pas nisën që të luanin larg saj.
Por gjithnjë ktheheshin tek ajo, duke luajtur me putrat e saja të mëdha dhe duke i hipur në shpinë”, thotë ai.
“Besoj se kam shpenzuar rreth një vit të jetës sime në kërkim të fotografimit të arinjve polarë. E dua të ftohtin, borën dhe akullin, dhe dritat e herëpashershme veriore në qiell gjatë natës”, potencon ai.