Në “Puls” të KTV-së, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferid Agani, ka folur për menaxhimin e këtij dikasteri, për degradimin e mjedisit e për hetimet që po bëhen ndaj tij në kohën sa po e drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
Ministri Agani ka thënë se përkundër përpjekjeve të organeve lokale e qendrore të shteti, “ende po sillemi me mjedisin si një vend armik, e jo si një vend i yni madje as si të ishte i huaj”.
Aty u bë me dije se në Kosovë operojnë rreth 140 gurthyes, që po shkatërrojnë mjedisin, bashkë me eksportuesit e rërës nëpër lumenj. “Lumenjtë janë të degraduar edhe nga pakujdesia institucionale”, ka thënë Agani, teksa ka përmendur lejimin e derdhjes së ujërave të zeza në ta si dhe marrjen e rërës.
Aty është treguar se borxhi i shtetit për shpronësime arrin në rreth 100 milionë euro.
Softueri i blerë 500 mijë euro nga MMPH për shpronësimin e pronave nuk është futur në përdorim me vite të tëra për të siguruar transparencën maksimale për shpronësimin e tokave. Ky softuer, sikur të ishte në funksion do të mund të shihej nga qytetarët, mediat, shoqëria civile se sa është paguar për çmimet e parcelave kadastrale dhe në rast se po favorizohet ndonjë individë apo komunë.
Ministri Agani ka folur edhe për operatorët ekonomikë apo prodhuesit e ujit në Kosovë.
“Ne e kemi dërguar lëndën në prokurori për shkak se operatorët ekonomikë nuk i kanë raportuar sasitë e ujit që e kanë prodhuar ose më mirë sasinë e ujit që e kanë shitur, nuk janë paguar taksat ministrisë sonë dhe prokuroria dhe policia janë duke e hetuar intensivisht këtë rast. Ne po kërkojnë informata kohë pas kohe dhe presim të përfundojë dhe të dënohet dikush për këtë”, ka thënë Agani. Në Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemuna janë 1200 shtëpi ilegale të ndërtuara në këtë zonë të mbrojtur.