Nga Eduard Zaloshnja
Një nga pyetjet e përmuajshme në sondazhin që zhvilloj për Report TV është: “Nqs zhvillohen sot zgjedhje parlamentare, për kë do të votonit?”. Në sondazhin e kësaj të mërkure përgjigjet ishin 36.3% për PS-në, 20.5% për PD-në e Berishës, 5.3% për PD-në e Bashës, 2.8% për PL-në, 6.5% për partitë e tjera, dhe 28.8% për asnjë parti. (Lexoni këtu)
Nga një një ekstrapolim i përafërt statistikor i përqindjeve të mësipërme, rezulton se ndër të vendosurit për të votuar qysh sot, rreth 725 mijë ia japin votën PS-së, rreth 410 mijë PD-së së Berishës, rreth 106 mijë PD-së së Bashës, rreth 55 mijë PL-së, dhe rreth 130 mijë partive të tjera.
Po si janë të shpërndarë gjeografikisht këta votues?
Meqë pyetësorin e kanë plotësuar në telefon celular 1101 të anketuar që morën linkun e tij me SMS krejt të rastësishme, specialist im IT është në gjendje të përcaktojë me afërsi vendndodhjen e secilit prej tyre. Dhe nga harta e këtyre vendndodhjeve, munda të ndërtoj Tabelën 1 si më poshtë.
Në rajonin verior (nga Fushë-Kruja deri lart në Vermosh), janë rreth 327 mijë votues të vendosur për të votuar qysh sot. Nga këta, rreth 147 mijë votojnë për PS-në, rreth 109 mijë për Bashkimin për Fitore të Berishës dhe Metës, rreth 32 mijë për PD-në e Bashës, dhe rreth 39 mijë për partitë e tjera.
Në rajonin qendror (nga Fushë-Kruja deri poshtë në Shkumbin), janë rreth 654 mijë votues të vendosur për të votuar qysh sot. Nga këta, rreth 328 mijë votojnë për PS-në, rreth 227 mijë për Bashkimin për Fitore të Berishës dhe Metës, rreth 35 mijë për PD-në e Bashës, dhe rreth 64 mijë për partitë e tjera.
Në rajonin jugor (nga Shkumbini deri poshtë në Konispol), janë rreth 445 mijë votues të vendosur për të votuar qysh sot. Nga këta, rreth 250 mijë votojnë për PS-në, rreth 129 mijë për Bashkimin për Fitore të Berishës dhe Metës, rreth 39 mijë për PD-në e Bashës, dhe rreth 27 mijë për partitë e tjera.
Po si përqindje, cila është gjeografia e simpatizantëve? Tabela 2 më poshtë jep një tablo të përqindjeve.
Në rajonin jugor, 56.2% e votuesve të vendosur votojnë për PS-në, dhe kjo është përqindja më e lartë e përkrahjes për të. Ndërsa më të ultën PS-ja e ka në rajonin verior, 45%. Në rajonin qendror regjistrohet përqindja më e lartë e votave për PD-në e Berishës (31.2%), ndërkohë që në rang vendi është vetëm 28.8%. Përkrahjen më të madhe PD-ja e Bashës e ka në rajonin verior (9.8%), ndërkohë që në rang vendi e ka vetëm 7.4%. PL-ja e ka përkrahjen më të madhe në rajonin jugor (4.5%), ndërkohë që në rang vendi e ka vetëm 3.9%. Ndërsa partitë e tjera përkrahjen më të madhe e kanë në rajonin verior (11.9%), ndërkohë që në rang vendi e kanë vetëm 9.1%.