Shpresat e Shqipërisë kanë mundur sot me rezultatin 2-1 përfaqësuesen U-21 të Hungarisë, për tu rikthyer në vendin e dytë të klasifikimit të Grupit 4 të elemniatoreve për Europianin e U-21. Një fitore kjo e treta për kuqezinjtë në këtë edicion, ndonëse numërojnë plot 8 ndeshje të luajtura, më shumë se çdo ekip tjetër i grupit, duke grumbulluar 12 pikë.
Një fitore shumë e bukur kjo e Shpresave, për vetë faktin se erdhi pas një përmbysje të vështirë por shumë të arrirë nga kuqezinjtë në harkun kohor të vetëm 10 minutave, falë golave të realizuar nga Manaj dhe Çekiçi, por me protagonist kryesor Latifin që shërbeu në të dy rastet. Ishte pikërisht grinta dhe dëshira për të fituar ajo që vlerësohet më shumë se loja e realizuar nga kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Redi Jupi.
Një presing ky i Shpresave që u shtua pas pësimit të golit të realizuar nga Hungaria në minutën e 55’ me Gera, si pasojë e një gabimi të Hoxhallarit në mbrojtje. Pavarësisht fitores dhe rimarrjes së vendit të dytë, shpresat për kuqezinjtë U-21 nuk janë shumë realiste, teksa në dispozicion mbeten vetëm 2 ndeshje, ndërkohë që rivalët, Israeli, ka edhe 4 ndeshje për të luajtur, deri në përfundim të këtyre eleminatoreve./Telesport