Duhej të ishte thjesht një formalitet, por kushti në hije për asociacionin komplikoi dhe bllokoi gjithçka.
Votimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është në rend dite në takimin që zhvillojnë sot ministrat e jashtëm të vendeve anëtare.
Pas lobimit të fortë të Serbisë, kanë qenë shtete si Gjermania, Franca dhe Italia që kanë bllokuar votimin me kërkesën për plotësimin e kushtit të tyre, që Kosova të bëjë hapin e parë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në këtë drejtim, ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, bëri përpjekjen e saj të fundit duke dërguar një letër në Strasburg, me garanci të forta se qeveria ka nisur procedurën për krijimin e një draft-statuti, i cili do të dorëzohej në Gjykatën Kushtetuese përpara fundit të Majit.
Përgjigja e 3 liderëve Macron, Scholz dhe Meloni ka qenë e prerë, duke refuzuar zotimet dhe dërguar një letër në adresë të kryeministrit Albin Kurti.
“Fatkeqësisht, hapat që ju propozoni nuk adresojnë nevojën urgjente për hapa vendimtarë drejt krijimit të Asociacionit dhe rrezikojnë të minojnë më tej Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, lexohet në letrën e liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Aty theksohet më tej se i vetmi draft-statut që duhet marrë në konsideratë është ai I dorëzuar nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak.
Këto zhvillime nxorën në pah dhe një përplasje mes liderëve institucionalë në Kosovë, me presidenten Vjosa Osmani, që kritikoi qeverinë për dërgimin e letrës në Strasburg, duke theksuar se ishte një veprim i gabuar I bërë pa miratimin e saj.
/a.r