Xhemal Qefalia, deputet i PS-së, dhe anëtar i Komisionit Hetimor për sistemin TIMS ka komentuar për RTSH 24 mbledhjen më të fundit të këtij komisioni, në të cilin pati debate të ashpra mes pozitës dhe opozitës, në lidhje me dëshminë e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.
Bazuar në një letër që vetë Balla i pati dërguar këtij komisioni, edhe anëtarët e shumicës parlamentare në komision kërkuan që dëshmia e tij të bëhej pa praninë e medias për shkak të sekretit hetimor. Kjo kërkesë u tentua të zhvlerësohej nga deputetët e opozitës.
Sipas Qefaliajt, opozita, më shumë se të zbatojë ligjin për komisionet hetimore parlamentare, po përpiqet t’i japë vetes rol protagonist, duke shpërfillur në këtë mënyrë jo vetëm vendimit e komisionit të cilat merren me shumicë, por edhe ligjet organike për funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare.
Deputeti socialist theksoi se shumica ka interes që t’i shkojë deri në fund hetimit.
“Opozita, për interesa personale, nuk veproi në përputhje me ligjin. Opozita kërkon të bëjë rolin e protagonistit, jo të ndihmojë për hetimin. Anëtarët e komisionit nuk ishin të pajisur me certifikatë sigurie. Kërkuam që mbledhja të shtyhej, të pajiseshin me këtë dokument shumë të rëndësishëm dhe më pas të merrnin pjesë në punimet e komisionit. Nuk u plotësua kuorumi për dëshminë e Rrumbullakun. Ai duhej të dëshmonte me dyer të mbyllura, pasi ka informacion të klasifikuar. Ata e kërkuan komisionin, por nuk e njohin ligjin. Mazhoranca ka interes t’i shkojë deri në fund hetimit. Kemi vullnetin për t’i vazhduar hetimet, dhe të kemi produkt. A ka pasur ndërhyrje? Nuk ka ende një vendim për tu provuar, por nëse ka patur do parë se kush I ka thyer rregullat. Ky është roli i Komisionit Hetimor që të hetojë dhe të bëjë edhe rekomandime”, u shpreh Qefalia.
/a.r