Udhëheqësi kinez Xi Jinping do të mirëpresë Vladimir Putinin në Kinë të enjten, në vizitën e dytë të Presidentit rus në më pak se një vit. Kjo është shenja më e fundit që tregon për forcimin e bashkëpunimit të tyre gjatë konflikteve globale, teksa lufta po shkatërron Gazën ndërsa Rusia bën përparime në Ukrainë.
Putin do të arrijë në Kinë rreth 1 javë pasi hyri në një mandat të ri zyrtarisht, duke e zgjatur “mbretërimin” e tij deri në vitin 2030 si rezultat i një palë zgjedhjeve pa opozitë të vërtetë. Vizita do të zhvillohet më 16-17 Maj, sipas mediave kineze.
Takimi zhvillohet disa muaj para zgjedhjeve presidenciale në Amerikë dhe teksa Uashingtoni po përballet me reagime në rritje për mbështetjen që po i jep luftës së Izraelit në Gaza.
“Palët kanë vendosur të sigurojnë një platformë për liderët për të diskutuar se si mund të çojnë përpara ambicien e përbashkët për të degraduar dhe ofruar një alternativë tjetër ndaj fuqisë amerikane”, shkruan CNN.
Vizita vjen pasi të dy udhëheqësit operojnë brenda asaj që ekspertët e konsiderojnë si një “koordinim të lirshëm”, por në rritje i interesave mes vendeve anti-amerikane si Irani dhe Koreja e Veriut. Pheniani, i cili varet ekonomikisht tërësisht nga Kina, besohet nga Perëndimi se po ndihmon Rusinë me furnizime luftarake. Po kështu, SHBA thotë se Teherani po forcohet ekonomikisht nga Rusia e Kina dhe është një lojtar i fuqishëm në konfliktin në Lindjen e Mesme.
Putin do të mbërrijë për vizitën shtetërore i nxitur edhe nga ekonomia e vendit të tij gjatë kësaj kohe lufte e ku Rusia ndodhet në mes të një ofensive të re të madhe përgjatë pikave kyçe të vijës së frontit në Ukrainë. Ndërsa Xi, i sapokthyer nga një turne në Europë, këtë vizitë do ta ketë si një mundësi për të treguar se besnikëria e tij ndaj Putinit nuk e ka thyer aftësinë për t’u angazhuar me Perëndimin.
Ata pritet të thellojnë bashkëpunimin në industri dhe teknologji, hapësirën e jashtme dhe përdorimin paqësor të energjisë bërthamore, inteligjencës artificiale, energjisë së rinovueshme dhe sektorëve të tjerë inovativë.
Por duhet rikujtuar se mbi Pekinin po rritet presioni nga Uashingtoni për mbështetjen që mendohet se po jep për industrinë ruse të mbrojtjes. Në Evropë, Xi-së iu desh të “lundronte” në tensione të mprehta në Francë dhe ishte i mirëpritur me bujë vetëm në Serbi e Hungari ndërsa partneri kryesor i saj, Rusia, mbetet e izoluar në skenën botërore.
Xi ka bërë thirrje në Europë dhe vendet e tjera që ta ndihmojnë botën të shmangë një “Luftë të Ftohtë”, duke sugjeruar që ata t’i rezistojnë përpjekjeve që Pekini i sheh si lëvizje të SHBA-së për të frenuar Kinën. Por vetë Xi, shihet se po forcon marrëdhëniet për të nënvizuar një ndarje globale në rritje që mund të thellojë ndarjet me Perëndimin, teknologjia dhe investimet e të cilit, thonë ekspertët, i duhen Kinës.
“Jetojmë në një botë më të rrezikshme, fuqitë autoritare janë gjithnjë e më shumë në një linjë së bashku. Rusia po merr mbështetje në luftën ndaj Ukrainës nga Kina, Irani dhe Koreja e Veriut. Kjo na kujton se siguria nuk është rajonale, por globale. Ne duhet të punojmë me partnerët tanë rreth botës për të ruajtur dhe mbrojtur sigurinë transatlantike”, paralajmëroi shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg muajin e kaluar.
/a.r