Në një takim te Piramida, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se do të ketë një Reformë të Inspektimit, e cila edhe sot e kësaj dite, sipas tij mbetet një pikë e dobët pavarësisht përmirësimeve.
Rama tha se do të ketë shkurtime të rëndësishme në inspektoriate dhe po ashtu do të ketë një bashkim të një sërë funksionesh.
Ai shtoi se inspektoriatet do të shkëputen nga ministrisë dhe do të dalin si një palë autonome, por në umbrellën e kryeinspektorit të përgjithshëm.
Kryeministri theksoi se nuk do të jetë i njëjti trup që edhe do të vendosë gjobat edhe do të marrë në shqyrtim ankesat.
Rama: Për të ardhur te inspektimet. Sot është një pikë e dobët, pavarësisht të gjithë përmirësimeve. Sot jemi në një fazë që mund të bëjnë një kapërcim dhe kapërcimi është një reformë e inspektoriateve.
Një shkurtim i rëndësishëm i numrit të tyre, një bashkim i një sërë funksionesh në grup dhe një shkëputje e inspektoriateve nga ministritë, për të dalë si një forcë e re dhe autonome në veprimtarinë e vet nën umbrellën e kryeinspektorit të përgjithshëm të shtetit.
Figura e inspektorit do të kalojë në një status të ri, sic e kanë doganat për shembull. Kjo nuk do jetë një trup që do të ketë edhe gurin dhe arrën.
Nuk do të jetë një trup edhe që do të vendosë gjobat dhe do të marrë në shqyrtim ankesat. Ankesat do të merren në shqyrtim edhe me pjesëmarrjen e trupave të apelimit të përfaqësuesve të bizneseve, për të krijuar një barrikadë që të mos kapërcehet kaq lehtësisht.
Përtej kësaj do të vendosim një parim të ri, jo gjobë në vizitën e parë. Kjo do ta bëjë të pamundur shfaqjen në befasi të inspektorit te dera dhe vendosjes së gjobës ose mos vendosjes së gjobës në bazë të një marrëveshje të heshtur./m.j