Bankat do t’u japin më shumë kredi qytetarëve për të blerë shtëpi apo për nevoja të tjera dhe sipërmarrësve për të zgjeruar kapacitet apo hapur biznese të reja. Ministria e Financave bashkë me Bankën e Shqipërisë janë duke përgatitur një plan për rritjen e kreditimit.
“Së pari, ky sektor duhet të jetë edhe më aktiv sa i përket kreditimit dhe mbështetjes së mëtejshme të zhvillimit të ekonomisë. Së dyti, i duhet kushtuar vëmendje e posaçme alokimit sa më eficient të fondeve drejt sektorëve më produktive të ekonomisë. Së treti, paralelisht me rritjen e kreditimit dhe përmirësimin e alokimit të fondeve, duhet bërë më shumë, në drejtim të rritjes së përfshirjes financiare të popullsisë”, thotë Ervin Mete, ministër i Financave.
Plani për rritjen e kreditimit të ekonomisë shqiptare vjen në një kohë që bankat po korrin fitime si kurrë më parë, ndërsa kreditë e këqija kanë rënë në nivelin më të ulët në 16 vjet.
“Një tjetër objektiv që ne kemi, por jo më pak i rëndësishëm, inovacioni, digjitalizimi dhe modernizimi i mëtejshëm i shërbimeve, kur jetojmë në Botën e Fintech dhe inteligjencës artificiale, duhet të mbetet një prioritet i sektorit bankar. Dhe paralelisht me këto zhvillime, i duhet kushtuar vëmendje edhe rritjes së vazhdueshme të sigurisë kibernetike., shprehet Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Zgjerimi i huamarrjes pritet të ndikohet edhe nga ulja e mundshme e normave të interesit. Rënia e inflacionit ka rikthyer sinjalet për zbutje të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë./m.j