Kinema “Maks Velo” në Tiranë do të çeli dyert për publikun më 13 maj, pas një periudhe të gjatë mosfunksionimi. Projektuar në Laprakë në vitet ‘70 nga vetë arkitekti, kjo hapësirë tashmë do të jetë e dedikuar për kinemanë dhe artin.
Këtë të hënë, Kinema “Maks Velo” do të nisë funksionin duke mirëpritur organizimin e Festivalit të Video Arkivës Shqiptare në një cikël prej 5 ditësh. Drejtori i Agjencisw së Industrisw Kreative, Jonid Jorgji, zbulon disa detaje lidhur me këtë hapësirë të rinovuar: “Kinemaja u la në harresë për një kohë të gjatë, duke humbur funksionin dhe duke u shndërruar në një godinë pa identitet që nuk e përfaqësonte as arkitektin, as qytetin. Sot jemi të lumtur që me iniciativën e Bashkisë Tiranë dhe Agjencisë së Industrisë Kreative kinemaja rivjen në jetë pas thuajse 30 vitesh.” Jorgji gjithashtu thekson se me hapjen e dyerve për publikun të hënën, priten aktivitete nga më të ndryshmet: “Do të ketë program me filma çdo ditë të javës, duke sjellë një tjetër frymë në zonën e Laprakës. Nuk do mungojnë as aktivitetet kulturore me të cilat po merremi hap pas hapi në nivel organizimi.”
Festivali që do të hapë dyert e Kinema “Maks Velos” do të mirëpresi publikun në datat 13-17 maj.