Nga Mero Baze
Ndërsa Mehmet Shehu po udhëtonte për në OKB në New York, gjatë viteve të para pas vendosjes së komunizimit, diaspora jonë në SHBA, kryesisht antikomuniste, vendosën të bëjnë një proteste para OKB, për të protestuar ndaj burgosjeve politike në Shqipëri dhe vendosjen e regjimit stalinist.
Ishin marrë të gjithë masat që protesta të ishte e fort. Në të njëjtën kohë ata mësuan se disa shoqata greke që pretendojnë “Vorioeprin”, po me qendër në New York do protestonin para OKB, po ndaj Mehmet Shehut, për të drejtat e “Vorioeprit”.
Sic e përshkruajnë kronikat e kohës, shqiptarët lanë mitingun e tyre dhe shkuan u rrahën me protestuesit vorioepriot. Nuk është ndonjë heroizëm I madh por është një ngjarje tipike ballkanike.
Dhe në fakt të dy palët ishin patriot të vendit të tyre, si grekët dhe shqiptarët, pasi luftonin për idealet e tyre. Diaspora greke për bashkëkombasit e vet diaspora shqiptare për viktimat e veta.
Kurse nesër në Athinë, një palë janë nacionalist grek, që mund të protestojnë për Belerin, kurse nacionalistët shqiptarë të Berishës do të protestojnë krah tyre kundër kryeministrit të Shqipërisë.
Këta në Shqipëri quhen sorvanistë.
***
Sali Berisha ka njoftuar se do të organizojë antimiting në Athinë nesër me rastin e vizitës së Edi Ramës. Arsyeja përse po organizon antimiting, është se Edi Rama po shkon në Athinë pa ftuar.
Në fakt vet Edi Rama dhe kryeministri Micotaqis e kanë theksuar që kjo është vizite private dhe nuk është i ftuar. Nuk di pse për këtë mërzitet më shumë Berisha dhe Meta në Tiranë se sa vet Micotaqis në Athinë.
Është po ashtu shumë interesante të dihet se ku do të mbahet antimitingu, a kanë marrë leje për sallën, a kanë vuajtur kaq shume sa vuajti Rama, etj.
Është rasti I parë që për një takim me emigrantë në Athinë mërzitet më shumë Berisha dhe Meta në Tiranë, të cilët mbahen dhe si sovranistë se sa vet grekët të cilët në fund të fundit e kanë problem elektoral dhe kanë të drejt dhe të ankohen.
Të dy këta udhëheqës brenda Shqipërisë po na bëjnë thirrje ti vëmë “kufirin tek dera” Perëndimit dhe të mos I lëmë të bëjnë çfarë të duan në vendin tonë, ndërsa tani janë future në garë ti qajnë hallin një vendi perëndimor pse po u shkon për vizite private kryeministri Shqipërisë.
Kjo është e rrallë për dikë që kërkon të jetë dhe sovranistë dhe antiperëndimor dhe të bëj betejë në anën e Greqisë më shumë se vet Greqia.
E thënë më qart, shqiptarët duhet të mësojnë nga Berisha se si duhet një vend. Në rastin konkret është mirë të thuhet “Duajeni Shqipërinë si Berisha Greqinë”.