Barometri në Euronews Albania këtë të premte ka pyetur qytetarët për pëlqyeshmërinë e disa liderëve botërore dhe evropianë. Krerët e shteteve më të rëndësishme janë vendosur përballë opinionit dhe vlerësimit të tyre për të kuptuar pëlqyeshmërinë e shqiptarëve.
Vladimir Putin, Presidenti i Rusisë, është njëri prej liderëve më të pa vlerësuar nga qytetarët. Nga 1000 të intervistuar ballë për ballë, 85.2% e tyre kanë mendim negativ për Presidentin e Rusisë, ndërkohë vetëm 5.6% kanë mendim pozitiv dhe 6.3% shprehen nuk e di.
Nga ana tjeter Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski gëzon mendim pozitiv nga shumica e të anketuarve. Janë 75,1 % e të intervistuarve që kanë vlerësim pozitiv për Presidentin e Ukrainës, përkundër 11,1 % të të pyeturve që kanë mendim negativ për të dhe 8.4 % e tyre nuk e njohin.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak ka pëlqyeshmëri në nivelin 41.5 % e të anketuarve.
Në listën e liderëve të vendosur përballë qytetarëve nga Barometri janë edhe liderët e vendeve të rajonit tonë. Aleksandër Vuçiç, Presidenti i Serbisë, Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri i Greqisë dhe Rexhep Taip Erdogan, Presidenti i Turqisë kanë kaluar filtrin e vlerësimit të qytetarëve dhe renditja për mendimin pozitiv apo negativ mes tyre është si më poshtë.
Mos pëlqyeshmërinë më të madhe mes të tre liderëve të rajonit për shqiptarët e ka Aleksandër Vuçiç me 80.8% që kanë mendim negativ për të.
Më pas vjen Kryeministri grek me 46,9 % e të anketuarve që kanë mendim negativ për të, dhe i fundit Erdogan me mos pëlqyeshmërinë më të ulët 15,1 %.
E kundërt është renditja për pëlqyeshmërinë, i pari është Erdogan me 71,8 % e të pyeturve që kanë mendim pozitiv për të, më pas Mitsotakis me 28,1 % të pëlqyeshmërisë, dhe në fund pëlqyeshmërinë më të ulët e ka Aleksandër Vuçiç 6,9 %.
6 muaj përpara zgjedhjeve në SHBA, Barometri ka vendosur shqiptarët përballë tre pyetjeve, 1- për fituesin e mundshëm të zgjedhjeve presidenciale 2-kush mendojnë ata se është më mirë të fitojë marrë parasysh realitetin në botë sot 3-kush është më mirë të fitojë për interesin e shqiptarëve në rajon.
Në të treja pyetjet përgjigjet e qytetarëve shqiptarë janë përkthyer në shifra konkrete. Në pyetjen e parë: “Në zgjedhjet për president të SHBA-ve mes dy kandidatëve kryesorë Biden dhe Trump kush do të fitojë?”
46,2% e të anketuarve mendojnë që zgjedhjet presidenciale në SHBA i fiton Donald Trump dhe 33,7% e tyre mendojnë që i fiton Joe Biden.
Në pyetjen e dytë: “Marrë parasysh situatën në botë aktualisht, kush është më mirë të fitojë sipas jush?”
43,5 % e të anketuarve mendojnë që është më mirë për situatën në botë të fitojë Donald Trump dhe 36,5% e tyre mendojnë që është më mirë të fitojë Joe Biden.
Në pyetjen e tretë: “Po për interesin e Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në rajon kush është më mirë të fitojë mes Biden dhe Trump?”
40% e të anketuarve mendojnë që është më mirë të fitojë Donald Trump për Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa 37,7% e tyre mendojnë që është më mirë të fitojë Joe Biden për interesin e Shqipërisë dhe Kosovës. Euronews