Në Maqedoninë e Veriut të mërkurën e 8 majit janë mbajtur zgjedhjet parlamentare si dhe balotazhi në garën për president. Në të dyja proceset ka fituar bindshëm në nivel nacional VMRO, duke marrë 43,14% apo 394.082 vota që në mandate deputetësh përkthehet si 59 mandate.
Kurse në kampin shqiptar kryeson Fronti Evropian që ka 14,06% apo 128.416 vota dhe nënkupton 18 mandate. Në një konferencë për media kreu i BDI-së Ali Ahmeti tha se Fronti Evropian ka siguruar 19 mandate, duke e përmendur se në total mund t’i marrin 20, por duhen pritur rezultatet finale.
Koalicioni VLEN ka 13 mandate që nënkupton 10.98% apo 100.308 vota. Subjekti politik maqedonas që ka drejtuar pushtetin ka marrë 137.936 vota apo 15,10%.
Ky subjekt politik ka dalë keq në garën për president, pasi Stevo Pendarovski ka marrë 230.930 vota apo 29,30%. Rivalja e tij Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO mori 512.300 vota apo 65,01%.
Kryetari i VMRO-së Hristijan Mickoski, në konferencë për media pas publikimit të rezultateve të para, ka thënë se “populli nuk lejoi që individët të krijojnë kriza”.
Ndërkaq kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në konferencë për media u shpreh se Fronti Evropian tashmë është forca e dytë politike në vend dhe ka mbi 30 mijë vota diferencë ndaj koalicionit VLEN.
VMRO-ja e ka ndihmuar shumë VLEN-it, por dallimi është mbi 30 mijë vota mes Frontit Evropian dhe VLEN-it. “Kjo do të thotë që qytetarët, shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët të cilët kanë vepruar në kuadër të Frontit janë për anëtarësim të pakompromis të vendit në BE”, tha Ahmeti duke shtuar se “kjo është alternativë e vetme, jo vetëm për qytetarët e frontit, por për gjithë qytetarët e vendit”, ka deklaruar ai.
Nga këto zgjedhje e zhgënjyer ka dalë LSDM-ja, lideri i këtij subjekti politik gjatë paraqitjes së parë pas përfundimit të zgjedhjeve, pranoi se partia që drejtohej nga ai përjetoi goditje të fortë në këto zgjedhje, duke i quajtur zhgënjyese rezultatet e zgjedhjeve të 8 majit.
Në të njëjtën linjë është edhe koalicioni VLEN. Në sheshin e Tetovës Bilall Kasami nga koalicioni VLEN tha se ata janë fitues në kampin politik shqiptar, ndërsa falënderoi edhe diasporën.
“Në këtë atmosferë impozante shpallim fitore në kampin politik shqiptar. Koalicioni VLEN është është fitues absolut i këtyre zgjedhjeve dhe për këtë falënderojmë diasporën të cilët erdhën për të votuar ndryshimin, falë tyre…edhe një herë ata treguan se në vendlindjen e tyre ata janë faktor ndërkombëtar dhe në këtë rast ne i falënderojmë nga zemra për çdo votë të marrë. 100 mijë herë faleminderit diasporë”, tha Kasami.
Fituesi kreu i VMR-DPMN-së, Mickovski pritet të ketë takime me partitë më vogla. Ai ka deklaruar mbrëmë se VLEN do të jetë e para, çfarë ka lënë të kuptohet, që nuk do ta takojë në këtë fazë kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti.
/a.r