Emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala në News 24, ka trajtuar mbrëmjen e sotme ngjarjen tragjike në Shkodër, ku një nënë u mbyt në ujërat e lumit bashkë me tre fëmijët e saj.
Pjesë nga dokumentari:
Edhe pse gjatë kontrollit në banesën e Ergdys Arrazit, policia nuk gjeti asnjë send të kundraligjshëm, ai u ndalua në dyshimet sipas organit të akuzës të arsyeshme se ai ishte shkaktari i vetëvrasjes së bashkëshortes së tij, Alma Arrazi dhe të tre fëmijëve të tij. Ku një faktorët është tradhtia bashkëshortore e tij ndaj gruas, si edhe ofendimet që e çuan këtë të fundit në aktin e vetëflijimit.
“Deri në këtë fazë të hetimeve janë krijuar dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi Ergdys Arrazi, si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e shtetases Alma Arrazi, e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lumë bashkë me tre fëmijët e mitur. Në këto kushte është kryer ndalimi i shtetasit Ergdys Arrazi, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Shkaktimi i vetëvrasjes’, thuhet në dosje.
Por çfarë ishte kjo tradhti bashkëshortore që e kishte trazuar kaq fort marrëdhënien në çift midis Almës dhe Ergdysit? Duhet thënë se kishin një diferencë të madhe moshore me njëri-tjetrin. Pasi Alma ishte 39 vjeç dhe Ergdysi 31 vjeç, 8 vite më i ri. Dhe përse Ergdysi u përpoq në rrëfimin e tij të parë në polici, të deklaronte se Alma vuante nga depresioni dhe merrte medikamente kundër stresit. Dëshmi e cila edhe sot mbetet e pavërtetuar, pasi askush në Spitalin e Shkodrës nuk e pohon një fakt të tillë. Edhe pse më tej familja Arrazi u përpoq të korrigjonte deklaratën e parë, duke thënë se Alma i merrte medikamentet në ambulancën e lagjes dhe jo në spital, ku nuk kishte një kartelë të hapur shëndetësore.
“Alma Arrazi është shoqëruar dy vite më parë në klinikën time nga familjarë të saj. Gjatë vizitës konstatova se Alma kishte vetëm probleme të ankthit dhe jo patologji të rënda të shëndetit mendor. Dhe për këtë arsye i këshillova medikamente të natyrës qetësuese. Që nga ajo kohë Alma Arrazi nuk është paraqitur më për vizitë pranë meje. Nëse Alma do të kishte probleme të shëndetit mendor, siç familja pretendon, bashkëshorti i saj e kishte shumë të thjeshtë të vinte te unë dhe të shprehte shqetësimin. Pasi në pallatin ku unë banoja në Shkodër, Ergdys Arrazi kishte një biznes, dhe fare mirë mund të më kontaktonte si mjek”, thotë Gjon Preçi, neuropsikiatër.
Sipas dëshmisë së familjarëve të Almës, Ergdysi kishte disa muaj që kishte krijuar një marrëdhënie jashtëmartesore me një vajzë 18 vjeçare, shumë më të re në moshë se ai, dhe se vetë Alma, fakt për të cilin ishte vënë në dijeni edhe vetë bashkëshortja e tij. Ajo kishte parë në telefonin e Ergdysit edhe një video të të dyve. Për këtë kishte dijeni për të cilën kishte edhe babai i Almës, i cili i kishte kërkuar disa herë të bijës, të largohej nga ajo banesë, nëse i shoqi nuk e donte. Arsye për të cilën e kishte marrë Almën edhe disa kohë në Itali, por që më pas ajo ishte kthyer sërish te familja e të shoqit.
“Vajza ishte larguar shumë herë nga ajo shtëpi. Unë e kam përkrahur, duke i thënë ik, nuk të do, lëre. Vazhdo jetën tënde. Por nuk ma dëgjoi fjalën se e donte shumë. Edhe mentaliteti. Nuk donte ta linte se më thoshte që nuk jemi nga ato familje ne. S’jemi mësuar lër një e merr një tjetër. Se histori të tilla nuk përfundojnë mirë. Aq e trembur ishte vajza e madhe, saqë edhe kur e ëma shkonte në tualet, i rrinte pas derës, nga frika se mos i ikte. Kur dilte e ëma, e shikonte në sy! Sikur i lutej që mos ik më. Ishte shumë e lidhur vajza e madhe me të ëmën. Eh çfarë kanë parë ata fëmijë. Shpirti nuk më del rehat. Kam zemrën e operuar dy herë. Nuk ka kuptim më jeta ime”, thotë Azem Bushati.
Edhe pse Ergdysi dhe familja e tij thonë se Alma merrte ilaçe kundër depresionit, familjarët e saj e kanë mohuar një gjë të tillë. Madje babai i saj, ka mohuar gjithashtu t’i ketë sjellë medikamente nga Italia. Por e vërteta është se Alma kishte marrëdhënie të tensionuara me bashkëshortin e saj. Dhe për këtë arsye, largohej shpesh te e motra në Tiranë, bashkë me tri fëmijët. Por sipas familjarëve Ergdysi shkonte dhe e kërcënonte, duke e i thënë t’i jepte fëmijët.
Një detaj që konfirmon këto thënie është edhe largimi i Almës për në Itali, në muajin janar. Por sipas babait të saj qëndrimi i saj pranë familjes së prindërve nuk ishte i gjatë pasi bashkëshorti i kishte thënë të kthehet sepse nuk do ta tradhtonte më.
Vetë Edison Arrazi, mohon të ketë dijeni për tradhtinë e vëllait të tij ndaj së shoqes. “Unë nuk e di që vëllai të ketë patur një lidhje tjetër. Po edhe sikur të ketë patur edhe 20 lidhje ai veprim nuk është asnjëherë i justifikueshëm sepse është një ngjarje e rëndë”, thotë Edison Arrazi. Po kështu Edison Arrazi, i cili kishte vetëm pak ditë që ishte liruar nga qelia, pas një dënimi disa vjeçar për kultivim të lëndëve narkotike, ku kishte fituar ulje dënimi nga amnistia e fundit, mohon që vëllai i tij Ergdys Arrazi, të kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes, Almës. Madje ai u përpoq që në daljen e tij publike ti jepte marrëdhënies së vëllait dhe bashkëshortes së tij, një tablo të qetë familjare. Pavarësisht se mesa duket kjo tablo nuk ishte aspak e tillë.
“Nusja ime dhe nusja e vëllait atë pasdite kanë dalë si gjithmonë për të pirë kafe bashkë më fëmijët. Është e pavërtetë se vëllai ka ushtruar dhunë psikologjike apo fizike ndaj nuses tonë të shtëpisë. Nusja është trajtuar prej shumë kohësh me ilaçe për stresin dhe depresionin. Nuk është se ka qenë në një gjendje të rënduar por herë pas herë ka marrë ilaçe”, thotë ai.
Por nëse e vërteta është kështu siç thotë familja Arrazi, atëherë përse Alma ndërmori këtë akt të rëndë, të pazakontë të flijimit bashkë me tre fëmijët e saj? Ishte ky një ndëshkim për bashkëshortin tradhtar, për t’i dhënë atij me këtë veprim, dënimin më rëndë që mund ti jepet një bashkëshorti dhe një babai, atë të humbjes njëherë e mirë të prindërimit.
“Vajza shprehej se ai ka një të dashur, shkonte me të tjera, filloi të jepte shenjat e veta, derisa arriti në këtë gjendje. Më tha bashkëjeton me një gocë të re, fle në një dhomë më vete me tre fëmijët. Ajo më thoshte nuk dua që fëmijët e mi t’i gëzojë dikush tjetër, i kam bërë unë, do t’i rris unë. Aty ka marrë vendimin për të flijuar jetën e vet dhe të tre engjëjve”, thotë babai.
Por nëse është kështu a ka të drejtë një nënë që për hir të këtij dënimi ndaj bashkëshortit, të dënojë dhe ti marrë jetën fëmijëve të tyre, qenieve më të pafajshme në këtë histori. Si duhet të gjykojë opinioni publik në një rast të tillë? A duhet ky hetim të thellohet edhe më tej në shkaqe të tjera që mund të jenë fshehur dhe mund të kenë çuar në aktin e vetëvrasjes së Almës dhe fëmijëve të tij? Dhe a është kjo një vetëvrasje, apo mund të jemi edhe përballë provave që mund të na çojnë drejt një vrasje? Një mister që do të duhet të na e zbulojnë hetimet, para se të dalin në konkluzione, të cilat thjesht sa e mjegullojnë edhe më shumë një vetëvrasjet më të rënda të ndodhura në këto 30 vite në Shqipëri, të një nëne dhe të fëmijëve të saj.