Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka publikuar në raportin vjetor, në të cilin thuhet se gjatë regjimit komunist 34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike. Në raportin e dorëzuar në Kuvend, ISKK ka publikuar një sërë statistikash, për vuajtjet që kanë pësuar shqiptarët gjatë regjimit “hoxhist”.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se 59,009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, ndërkohë që 7.022 prej tyre kanë humbur jetën. Po sipas të dhënave të këtij instituti, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, ndërkohë që 6.027 persona janë vrarë gjatë diktaturës. Po ashtu, nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit.
PUSHKATIMET PA GJYQ
Instituti Studimit të Krimeve të Komunizmit, i drejtuar nga Agron Tufa, në raportin e vjetor thekson se ka nisur puna në të gjithë Shqipërinë për të zbuluar numrin e saktë të qytetarëve të pushkatuar pa gjyq. Në raport thuhet se janë me mijëra qytetarë që janë vrarë nga viti 1944-1955, por një pjesë e madhe nuk ekziston në arkiva.
“Instituti i Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë në bashkëpunim me shoqatat e të përndjekurve politikë, që operojnë në çdo qytet e trevë të Shqipërisë, ka nisur një projekt të regjistrimit të saktë të mijëra qytetarëve të pushkatuar pa gjyq në vitet 1944- 1955, emrat e të cilëve nuk gjenden në asnjë arkiv. Zbardhja e fatit tragjik të këtyre qytetarëve është një detyrë e domosdoshme e institutit tonë dhe një hulumtim i saktë mbi numrin e qytetarëve të pushkatuar për të dhënat e sakta të shifrës së tyre, çka nuk përputhet aspak me të dhënat e deritashme zyrtare”, thuhet në raportin e ISKK-së.
HARTA E BURGJEVE
“Topografia e terrorit komunist” do të titullohet harta që po përgatit Instituti i Studimeve të Krimeve të komunizmit. Në këtë hartë do të jenë të evidentuara të gjitha kampet e punës së detyruara, po ashtu burgjet në të gjitha trevat e Shqipërisë.
“ISKK tashmë e ka përfunduar punën hulumtuese në terren për të dhe ka evidentuar burgjet e kampet e punës së detyruar nëpër gjithë territorin e Shqipërisë për të bërë një hartë sa më të saktë, ku të përcaktohet ‘topografia e terrorit komunist’, sipas qyteteve dhe trevave të Shqipërisë. Po kërkojmë rrugë e mundësi të pajisjes së këtyre vendeve të vuajtjes me tabela, memorialë e pllaka përkujtimore. Instituti vijon të përkrahë e nxitë studimet shkencore rreth krimeve të komunizmit me doktorantë të huaj e shqiptarë pranë Universiteteve të Europës e Amerikës, duke u afruar atyre dokumentet dhe literaturën e nevojshme dhe konsulencën shkencore në këtë drejtim”, thuhet në raportin vjetor.
Panorama