Një bandë e trafikut të drogës është shkatërruar në Kosovë, pjesë e së cilës ishin shtetas të Shqipërisë dhe Kosovës. Katër shqiptarë nga Shqipëria janë vënë në pranga në Prishtinë, pasi janë kapur me një sasi lënde narkotike, ndërsa më pas janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë, shqiptarë nga Kosova. Policia e Kosovës, e ndihmuar edhe nga njësitë e tjera policore, kanë realizuar një operacion të suksesshëm policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e shtatë personave të dyshuar për posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Operacioni policor është realizuar një ditë më parë në rrugën “Luan Haradinaj” dhe “Shaban Shala”, në Prishtinë, ku fillimisht janë ndaluar dy makina me targa të Shqipërisë, me të cilat po udhëtonin katër të dyshuar meshkuj, shtetas të Shqipërisë. Policia gjatë kontrollit në njërën nga makinat ka vërejtur dyshime se në gomën rezervë të automjetit mund të ketë substancë narkotike dhe gjatë verifikimit është gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marijuanë, me peshë 1867.8 gramë.
Si vazhdimësi e hetimeve, me urdhër të prokurorit është kontrolluar një shtëpi e dyshuar dhe janë arrestuar edhe dy meshkuj dhe një femër shqiptare e Kosovës, pasi dyshohet se janë të përfshirë në të njëjtin grup. Në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar një makinë e dyshuar, ku gjendej droga, disa celularë, 340 euro si dhe materiale të tjera që lidhen me rastin. Me vendim të prokurorit, shtatë personave të dyshuar iu është caktuar masa e ndalimit dhe janë dërguar në qeli.
BW