Nata e parë e festivalit evropian të këngës ka nxjerrë 10 vendet që vijojnë garën për në finalen e madhe më 11 maj. Pas votimit të publikut në finalen e madhe do të shkojnë Serbia, Portugalia, Sllovenia, Ukraina, Lituania, Finlanda, Qiproja, Kroacia, Irlanda dhe Luksemburgu.
Nata e parë “Eurovision Song” që mbahet në Malmo të Suedisë dhuroi një spektakël të vërtetë teksa festivali u hap nga këngëtarja me orgjinë shqiptare Eleni Foureira ndërsa eventi mban sloganin “Të bashkuar nga muzika”.
Mbrëmja e sotme shënoi gjysmëfinalen e parë të festivalit europian të këngës, ndërsa të enjten më 9 maj do të jetë gjysmëfinalja e dytë ku do të garojë edhe Shqipëria me këngëtaren Besa Kokëdhima.
E shtuna do të shënojë finalen e madhe më 11 maj prej nga do të dalë fituesi i festivalit evropian të këngës. Pas renditjes nga ana e organizatorëve të edicionit të 68-të të Eurovision 2024 Malmo, të gjithë shqiptarët, të cilët prej dekadash ndjekin këtë ngjarje të madhe të muzikës evropiane dhe botërore, do të kenë mundësinë të dëgjojnë përfaqësuesen e Shqipërisë në këtë edicion, Besa Kokëdhima më 9 maj, në gjysmë-finalen e dytë.
Kënga e saj “TITAN” do të jetë e dyta që do të këndohet në mbrëmjen e dytë të gjysmë-finales. Versioni i ri në anglisht i këngës vjen si një bashkëpunim me producentë të njohur botërorë si Gia Koka, Serban Casan dhe Alias LJ dhe producentin e njohur shqiptar Kledi Bahiti. Video-klipi është realizuar në Stamboll dhe vjen si një trinom që kombinon tekstin, mesazhin dhe muzikën. Me këngën “Zemër n’dorë” (TITAN), Besa Kokëdhima fitoi besimin e publikut për të përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 68-të të Eurovizion, në Festivalin e 62-të Këngës në RTSH.
Eurovision 2024 transmetohet drejtpërdrejt nga Radio Televizioni Shqiptar. Vetëm 20 shtete zgjidhen nga dy gjysmëfinalet për të vijuar më pas në finalen e madhe që do të zhvillohet më 11 maj, të cilat do t’u bashkohen 5 shtetet e përhershme finaliste dhe vendi mikpritës që është Suedia.
Nga gjysmëfinalja, dhjetë finalistët vlerësohen nga vota e publikut. Votohen në dy forma: Shqiptarët që ndodhen në shtetet që janë në garë në natën e dytë gjysmëfinale mund të votojnë me kodin 02 në numrat e telefonit vendosur në dispozicion nga shteti ku ata jetojnë, nga vendet pjesëmarrëse. Ndërsa, të gjithë shqiptarët që ndodhen kudo nëpër botë, në votimin “rest of the ëorld”, ku mund të votohet online 24 orë përpara se të çelet votimi i online, mund të votojnë për Shqipërinë deri në 20 herë nga çdo vend i botës.
/a.r