Situata politike në vend kohët e fundit ka qenë e tensionuar, këtë e tregojnë përplasjet në Kuvend, protestat te Bashkia apo edhe debatet për sa i përket Reformës në Drejtësi.
Akuzat për SPAK nuk kanë munguar nga ana e opozitës e cila pretendon se ky organ i drejtësisë vepron me standard të dyfishtë.
Në një intervistë për Klan News, kreu i LZHK, Dashamir Shehi shprehet se ka shumë tema problematike në vend që duhet të hetohen, por kjo gjë kërkon kohë.
“Unë nuk pres që çështjet e politikës t’i zgjidhin prokurorët në Shqipëri, por gjithsesi një lloj drejtësie do të bëhet në këtë vend, se gjithë ky abuzim i madh dhe askush nuk është dënuar deri më sot, kjo nuk vazhdon kështu më, se në fund të fundit për çfarë u bë kjo reformë. Për të patur rezultat pas 10-15 vjetëve? U bë pikërisht që të ketë një vendimmarrje të paktën për disa nga temat e mëdha, problemet e mëdha, korrupsionet e mëdha që kanë dalë,” thotë Shehi.
“Unë them që gjysma e opozitës është për ta mbështetur SPAK-un, unë i kam dëgjuar edhe këta zotërinjtë, edhe këto Bardhin, që së paku zyrtarisht thonë se e mbështesin. Ky është SPAK-u, kjo është drejtësia jonë, nuk është perfekte por për herë të parë po lëviz diçka. Tani këta që ankohen sigurisht që kanë disa probleme me drejtësinë, ai që s’ka unë them se nuk ka pse të ankohet e të trembet duhet të jetë i qetë, gjykoj unë. Kështu që unë them t’i lemë të bëjnë punën e vetë, a ka janë këta më të mirët, a janë këta më të zotët, koha do ta tregojë,” përfundon kreu i LZHK.
/a.r