Në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm ka rinisur sërish seanca për gjykimin e Arbër Paplekaj, i cili është dënuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 24 prillit 2021. Pasi gjykata kishte vendosur riinspektim të ngjarjes, sot kanë dëshmuar para saj ekspertët ku kanë treguar gjetjen e tyre nga kamerat e sigurisë ditën e ngjarjes.
Ekspertët janë shprehur se konflikti me armë nisi nga pozicioni i viktimës, i cili ishte i shoqëruar nga persona të tjerë. Gjithashtu ekspertët kanë deklaruar se viktima Pjerin Xhuvani nuk rezulton që të ketë pasur armë.
Në seancën e fundit gjykata e Apelit kishte kërkuar që të merrej informacion mbi personat e tjerë që kishin qëlluar në vendin e ngjarjes.
“Viktima, Pjerin Xhuvani erdhi në vendngjarje i shoqëruar nga disa persona. Konflikti i armatosur fillon nga pozicioni ku është viktima. Reagimi i të pandehurit që tërhiqet besojmë se ka identifikuar qitësa.
Nga gëzhojat që kemi gjetur në vendngjarje, patjetër që Pjerin Xhuvani ka pasur në krah një qitës, jo më larg se 1-2 metra. Në trupin e viktimës faktor plotësues që mund të jetë kontaminuar nga një qitës pranë tij”, thanë ekspertët në gjykatë.
Paplekaj i është drejtues disa herë gjykatës, duke kërkuar ri-ekspertim të vrasjes që ndodhi pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 24 prillit të vitit 2021.
Gjykata e Elbasanit e ka shpallur fajtor ish-efektivin e repartit RENEA, Arbër Paplekaj, duke e dënuar me 22 vite burgim me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.
/a.r