Agjencia e Trajtimit të Pronave paralelisht me procesin e kompensimit për vendimet e formës së prerë, ka nisur edhe procedurat për pranimin e kërkesave të reja, shkruan Panorama. Drejtoresha e ATP-së, Sonila Qato, ndërsa vë në dukje thjeshtimin e procedurave për këtë kategori, thekson se familjet do të kenë afat deri në 24 maj për të paraqitur kërkesë për njohje të pronës.
“Ligji i ri ka përcaktuar një afat prekluziv prej 90 ditësh për të paraqitur pranë ATP-së aplikime të reja për njohje pronësie. Aplikimet kanë filluar tashmë prej afro një muaji dhe stafi i ATP-së çdo ditë pret dhe pranon aplikime të reja nga qytetarët. Ky afat përfundon në datën 24 maj, ndaj ftoj të gjithë të interesuarit të shprehin kërkesën e tyre për njohje pronësie deri në këtë datë, duke aplikuar përmes procedurave shumë favorizuese për këtë kategori pronarësh, të cilët në 25 vjet nuk kanë ushtruar dot këtë të drejtë”.
Sipas Qatos, pas tejkalimit të afatit të paracaktuar, nuk do të pranohen më kërkesa të reja për shqyrtim, por do të punohet me ato të cilat janë depozituar.
“Afati në kuptimin e këtij ligji është prekluziv, ndaj nuk do të ketë shtyrje të mëtejshme të këtij afati për aplikim në sportelet e ATP-së”, tha drejtoresha e Agjencisë së Pronave. Për të aplikuar, pronarët apo familjarët e tyre mjafton të dorëzojnë pranë agjencisë një dokument origjine dhe një hartë të pretenduar mbi vendndodhjen e pronës.
Aktualisht në ATP janë të arkivuara rreth 11 mijë dosje të patrajtuara. Ligji i ri detyron agjencinë që të dalë me një vendim për secilin prej tyre brenda tri viteve të ardhshme. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë qytetarët kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës për të kërkuar të drejtën që u takon.
Ndërkohë, para disa ditësh, në faqen zyrtare të ATP-së është bërë botimi i këtyre dosjeve për 12 qarqe të vendit, duke u dhënë mundësinë qytetarëve që të informohen mbi mangësitë që kanë në dokumentacion.
Panorama