Mitropoliti i Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Devollit dhe Voskopojës, Imzot Joani ka dhënë një mesazh për Pashkën Ortodokse.
Ai shprehet se Ngjallja e Krishtit, kjo dhuratë e Perëndisë për të gjithë njerëzit, kërkon një përgjigje nga ana jonë.
Imzot Jonani bën thirrje që të jetojmë një jetë të re dhe të vërtetë, plot shpresë, paqe, dashuri dhe vëllazëri.
“Thirremi të përqafojnë njëri-tjetrin dhe të falim njëri-tjetrin në çdo gjë. Le t’i hapim, pra, zemrat tona dhe le ta pranojmë këtë dhuratë të mrekullueshme, me mirënjohje dhe falënderim të thellë, sepse Ngjallja e Krishtit, do të bëhet realitet, për gjithsecilin prej nesh, vetëm nëse njëjtësohemi me Krishtin dhe kështu mund të përjetojmë gëzimin dhe fuqinë transformuese të saj, e cila do të na japë kurajë dhe fuqi për t’u përballur me të gjitha vështirësitë dhe kryqet e kësaj jete. Në ketë kremtim të fitores së Krishtit mbi vdekjen, do të doja t’ju uroja të gjithëve, që drita e Pashkës të ndriçojë zemrat dhe jetën tuaj dhe me gëzim e ngazëllim të madh të thërrasim: Krishti u Ngjall! Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët!”, shprehet ai.
Mesazhi i plotë:
Nën Dritën e Ngjalljes Mund Të Përballojmë Çdo Vështirësi
Ngjarjet që përkujtojmë në Javën e Madhe, pësimin, vdekjen dhe ngjalljen e Zotit tonë Jisu Krisht, janë ngjarjet më të rëndësishme të historisë njerëzore, themeli i veprës së Tij shpëtimtare dhe i Ungjillit, me anë të cilit ne shpëtohemi. Shën Pavli e përkufizon Ungjillin me të vërtetën e dyfishtë, që Jisui pësoi dhe vdiq për mëkatet tona, vërtetuar nga varrosja e Tij dhe se Ai u ngjall ditën e tretë, vërtetuar nga varri i zbrazur dhe nga të shfaqurit e Tij para shumë dëshmitarëve (1 Kor. 15:3–5). Krishti, me anë të vdekjes, tregoi që ishte një njeri dhe me anë të ngjalljes, vërtetoi se ishte Perëndi, sepse nuk ishte e mundur të zotërohej prej prishjes Krijuesi i Jetës (Lit. e Sh. Vasilit). Kjo e vërtetë është shtylla e besimit tonë.
Shkrimi i Shenjtë nuk e shikon vdekjen e Krishtit të ndarë nga ngjallja dhe ne duhet ta ruajmë këtë lidhje. Zbritja e Krishtit në varr është po aq e rëndësishme sa edhe dalja e Tij nga varri. Të besosh në njërën pa tjetrën do të thotë të besosh në një ungjill të rremë, që nuk mund të shpëtojë. Shën Athanasi i Madh shkruan: Vdekja duhej t’i paraprinte ngjalljes, sepse nuk mund të kishte ngjallje pa të. Kryqi i Tij është dëshmia më e plotë e dashurisë së Trinisë së Shenjtë për njerëzit, një dashuri e thellë dhe vepruese, dashuri që shëron dhe shpëton.
Vdekja është armiku i përbashkët i të gjithë njerëzve, duke shkaktuar frikë dhe ankth në jetën tonë. Shkrimi i Shenjtë na tregon se: Perëndia nuk e krijoi vdekjen dhe nuk gëzohet në shkatërrimin e të gjallëve (Dit. 1:13-14). Ajo është fryti i largimit të njeriut nga Krijuesi i tij. Ne nuk e shmangim dot atë, duke e anashkaluar, harruar, ose duke u dehur me dëshirat dhe qëllimet e kota të kësaj bote. Në botën tonë njerëzore, vdekja është mundimi dhe tmerri më i madh. Ajo e godet njeriun në thelbin e qenies së tij, duke e ndarë trupin nga shpirti. Çlirimi, nga ky mundim dhe tmerr, është shpëtimi i vërtetë dhe një shpëtim i tillë iu dha të gjithë njerëzve, nga Ai që e mundi vdekjen – Perëndi-Njeriu i Ngjallur.
Në librin e Jobit ngrihet një pyetje themelore mbi qëllimin e jetës së njeriut: Vallë i vdekuri a mund të jetojë përsëri? (Job. 14:14), pyetje që është bërë dhe bëhet vazhdimisht ndër shekuj. Shumë janë munduar t’i përgjigjen, në mënyra të ndryshme, kësaj pyetjeje themelore. Por, kjo pyetje, mori një përgjigje të qartë dhe të vërtetë, vetëm në vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, sepse Zoti nuk erdhi të përballej me vdekjen në mënyrë filozofike dhe teorike, por u përball me të personalisht dhe me vdekjen e Tij, vdekjen mundi, duke na çliruar nga robëria e dyfishtë: nga vdekja shpirtërore dhe nga ajo trupore.
Krishti është fryti i parë i ngjalljes nga të vdekurit, që do të thotë se ngjallja e Tij është një pararendëse e ngjalljes, që do të përjetojnë të gjithë ata që ecin në rrugën tij. Apostull Pavli shkruan: Sepse, me anë të një njeriu erdhi vdekja, edhe ngjallja e të vdekurve nga një njeri. Sepse, ashtu si në Adamin të gjithë vdesin, ashtu edhe në Krishtin të gjithë do të ngjallen (I Kor. 15:21-22.). Duke e mundur vdekjen, Ai mundi dëshpërimin, padrejtësinë, urrejtjen, sëmundjen, luftën dhe çdo të keqe. Pa ngjalljen, ne do të dergjeshim akoma në errësirë dhe në hijen e vdekjes (Lk. 1:79).
Nga këndvështrimi i Ngjalljes, ngjarjet e kësaj bote marrin përmasa të reja. Vuajtjet, dhimbjet, frikërat dhe fatkeqësitë, me të cilat përballemi në jetën tonë, bëhen më të lehta, kur i shikojmë me sytë e shpresës. Kjo nuk është një shpresë e rreme, por një shpresë e bazuar në realitetin e ngjalljes dhe e dëshmuar nga mijëra e mijëra njerëz ndër shekuj. Ndonëse mundimet mbeten, Krishti tashmë ka mbjellë në zemrat tona farat e ngjalljes, për të cilat duhet të kujdesemi dhe të përpiqemi, që të japin fryte të bollshme. Të bashkuar me Atë, ne besojmë se sprovat e shumta, jo vetëm që nuk do të na mundin, por do të kthehen në një forcë rigjallërimi, sepse Krishti e ktheu atë që ishte instrument vdekjeje, Kryqin, në burimin e jetës. Prandaj, Ngjallja e Tij, sjell tek ne një mënyrë të re të menduari dhe të jetuari, një ndryshim tërësor të marrëdhënies sonë me veten dhe me të tjerët.
Të dashur vëllezër dhe motra! Ngjallja e Krishtit, kjo dhuratë e Perëndisë për të gjithë njerëzit, kërkon një përgjigje nga ana jonë. Ne thirremi të jetojmë një jetë të re dhe të vërtetë, plot shpresë, paqe, dashuri dhe vëllazëri. Thirremi të përqafojnë njëri-tjetrin dhe të falim njëri-tjetrin në çdo gjë. Le t’i hapim, pra, zemrat tona dhe le ta pranojmë këtë dhuratë të mrekullueshme, me mirënjohje dhe falënderim të thellë, sepse Ngjallja e Krishtit, do të bëhet realitet, për gjithsecilin prej nesh, vetëm nëse njëjtësohemi me Krishtin dhe kështu mund të përjetojmë gëzimin dhe fuqinë transformuese të saj, e cila do të na japë kurajë dhe fuqi për t’u përballur me të gjitha vështirësitë dhe kryqet e kësaj jete.
Në ketë kremtim të fitores së Krishtit mbi vdekjen, do të doja t’ju uroja të gjithëve, që drita e Pashkës të ndriçojë zemrat dhe jetën tuaj dhe me gëzim e ngazëllim të madh të thërrasim: Krishti u Ngjall! Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët!