Besimtarët ortodoksë në mbarë botën, por edhe në vendin tonë kremtojnë ditën e sotme festën e Pashkës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar, e cila simbolizon ringjalljen e Jezu Krishtit.
Në Tiranë, mesha e shenjtë e Pashkës u kremtua në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’ , nën drejtimin e Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Besimtarët kanë ndezur qirinj në Katedralen Ortodokse për të çuar në shtëpi dritë si simboli i kësaj feste.
Gjatë meshës Kryepeshkopi foli për më shumë dashuri në vendin tonë, ‘të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme.
Festime pati gjithashtu dhe në qytetet e tjera të vendit tonë, ku kryeqendra e kësaj ngjarje të fesë ortodokse vijon të mbetet Korça.
Me qindra besimtarë nga Korça dhe të ardhur nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, qëndruan në mesnatë para Katedrales për të marrë “dritën e shpresës” nën urimin, Krishti u Ngjall!
Urimet nuk mungojnë as nga politika, nga Presidenti Bajram Begaj, te kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kryedemokrati Lulzim Basha e Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
“Gëzuar Pashkën, ditën e besimit dhe të shpresës për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë! Kjo festë e shenjtë përbashkon sot kudo te gjithë besimtaret ortodoksë”, shkruan Begaj. Teksa kryeministri Rama zgjodhi një foto për të uruar të gjithë besimtarët.
/a.r