Nga Enver Robelli
Jo vetëm në Gjakovë, edhe në Kalabri këto ditë është zbuluar një përmendore e Skënderbeut. Janë lodhur heroi kombëtar shqiptar dhe kali i tij me këto nderime që gjoja po u bëhen. Diku përmendoret e Skënderbeut janë me dukje qesharake, diku tjetër me pamje bizare, rrallëherë janë artistikisht të qëlluara. Kjo është njëra anë (e keqe) e medaljes. Ana tjetër po ashtu e keqe e medaljes: në komunën San Basile të Kalabrisë kishin vajtur jo më pak se dy ministra të qeverisë së Kosovës për të marrë pjesë në zbulimin e një shtatoreje të Skënderbeut. Aty ishin Xhelal Sveçla, ministër i Brendshëm i Kosovës, dhe Elbert Krasniqi, ministër i administrimit të pushtetit lokal.
Një vizitë e tillë, kur i llogarit shpenzimet e udhëtimit, akomodimit, pastaj shpenzimet shtesë për stafin përcjellës, truproja, bartës çantash, asistentë, ekspertë për lidhjen e kravatave, ekspertë të hekurosjen e çorapëve etj., Kosovës së varfër nuk i kushton 99 euro. Do të ishte në interes të publikut që ky delegacion të tregonte vetë sa ka kushtuar ky udhëtim krejtësisht i panevojshëm.
Athua çfarë i lidhë dy ministrat kosovarë që shkuan në Kalabri me këtë ngjarje? Asgjë! Ata nuk janë përgjegjës as për kulturë, as për arsim, as për diasporë. Me këtë nuk them që është dashur të shkojë në Kalabri ministri i kulturës apo ministrja e arsimit. Para pak javësh në Italinë e jugut, te arbëreshët, ishin ministrja e jashtme dhe zëvendësja e saj dhe kjo vizitë, besoj, mjafton.
Është sjellje tepër e keqe, shembull i neveritshëm, që paratë e qytetarëve të Kosovës të përdoren për ekskursione të tilla kalabrezo-skenderbegiane. Udhëtimet që nuk keni pasur rast t’i bëni kur nuk keni qenë në politikë, nuk mund dhe nuk duhet t’i bëni tash, të veshur me pushtet, kuptohet zbavitje të tilla bëni me para të të tjerëve, jo tuajat. Qeveria nuk është agjenci udhëtimesh për plotësim dëshirash turistike.
Nuk është hera e parë që ministri i brendshëm praktikon këtë lloj turizmi. Në fillim të marsit ai, bashkë me zyrtarë të tjerë, me një zëvendësministër dhe me një deputet të partisë së tij, ia mësynë Stambollit për të kremtuar me diasporën e atjeshme shqiptare “epopenë UÇK-së”. Këto tri shkronja – UÇK – janë më të keqpërdoruat në Kosovën e pasluftës, për fat të keq. Në emër të tyre shitet patriotizëm pasi beteja ka mbaruar, në emër të tyre edhe është vjedhur, në emër të tyre zhvillohet edhe turizëm. Në vitin 2024.
Kosova ka në Stamboll konsullatë. Do të mjaftonte që në këtë aktivitet të diasporës së atjeshme, e cila pothuaj është asimiluar, të merrte pjesë ndonjë diplomat i Kosovës me shërbim në Stamboll. Dhe jo të shkonte një delegacion si regjiment nga Prishtina në Stamboll për të dëgjuar disa këngë folklorike dhe mbajtur disa fjalime patetike. Edhe këtu shtrohet pyetja: sa i kushtoi Kosovës ky dëfrim në Stamboll?
Në vargun e vizitave të panevojshme hyn edhe qëndrimi i ministres kosovare të drejtësisë në Berlin dhe pjesëmarrja e saj në një takim të shqiptarëve të Maqedonisë me politikanë shqiptarë nga Maqedonia. Dihet se Gjermania është e ndjeshme ndaj aktiviteteve të tilla elektorale të politikanëve të huaj në territorin e saj. Për shkak të konsideratës që kanë ndaj Kosovës, politikanët gjermanë nuk protestojnë hapur ndaj vizitave të tilla, por pakënaqësia është evidente sa herë që vijnë mysafirë të tillë të paftuar. Në vitin e kaluar qeveria në Berlin pati ndaluar aktivitetet e politikanëve turq në Gjermani tre muaj para zgjedhjeve në Turqi. Pra, nuk e lanë as Rexhep Taip Erdoanin t’ju flasë bashkëkombësve të tij në Gjermani. Edhe më 2018 Gjermania ia ndaloi Erdoanit çdo veprimtari elektorale në Gjermani. Atëbotë lideri turk mbajti një miting në Sarajevë, ndërsa përkrahësit e tij erdhën nga Europa perëndimore me autobusë, avionë e vetura.
Në shumë shtete europiane, ambasadat dhe konsullatat e Kosovës janë në hall nga vizitat e shpeshta e të papritura të delegacioneve të llojllojshme. Secili delegacion kërkon shërbime nga ambasada e konsullata përkatëse. Jo vetëm këta të qeverisë. Edhe të opozitës nganjëherë kanë kërkesa: na transportoni nga ky vend në tjetrin, na çoni këtu, na çoni atje – për shembull në takime me bashkatdhetarë, shumica prej tyre shqiptarë me profesion që duan të dalin në fotografi me politikanë të Kosovës për t’iu lavdëruar pastaj kushërinjve në Kosovë. Përmasa qesharake po merr edhe pritja e përcjellja pas asnjë kriter e secilit shqiptar bjerrakohës që kalon pranë ambasadave apo konsullatave të Kosovës. Edhe kjo praktikë duhet të ndërpritet.
Të gjitha këto defekte shpijnë te pyetja: përse ekziston kryeministri? Për të udhëhequr qeverinë, natyrisht. Për t’iu kërkuar llogari ministrave dhe ministreve. Për t’u kujdesur që efikasiteti i qeverisë të matet me punë konkrete dhe jo me vizita turistike në Kalabri, në Stamboll, në Berlin e gjetiu nëpër botë. Bota është e madhe dhe Kosova nuk ka para për t’ua plotësuar dëshirat turistike politikanëve dhe zyrtarëve. Kush ka qejf të vizitojë kushërinjtë në Hamburg, tezet në Francë, baxhanakun në Suedi, ndonjë arbëresh në Sicili, mund të blejë privatisht një biletë treni Interrail. Çmimet janë shumë të volitshme: 10 ditë udhëtim me tren në mbi 30 shtete të Europës për 335 euro.