Trajnerët e ekipeve kombëtare që do të marrin pjesë në Kampionatin Europian 2024 që do të mbahet në Gjermani do të mund të thërrasin deri në 26 lojtarë. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur të pranojë kërkesat e disa trajnerëve të skuadrave që do të marrin pjesë në turneun me 32 ekipe që do të nisë më 14 Qershor.
Megjithatë thirrja e 26 lojtarëve nuk do të jetë një detyrim, por vetëm një mundësi për ata trajnerë që duan ta shfrytëzojnë. Sipas këtij vendimi, Komiteti Teknik ka lënë të hapur mundësinë që çdo teknik të thërrasë nga 23 deri në 26 futbollistë.
Gjithashtu një tjetër lehtësi që vjen për këtë Europian është edhe mundësia tjetër që u ofrohet trajnerëve që të 26 lojtarët që do të thërrasin t’i kenë të disponueshëm në stol për të luajtur. Në Kampionatin Europian 2021, kur skuadrat u lejuan të marrin 26 lojtarë për shkak të Covid, 3 prej tyre duhet të qëndronin në tribunë, ndërsa trajnerët kishin të disponueshëm vetëm 23 të tjerët.
Trajneri i Kombetarës Shqiptare, Sylvinho nuk ka qënë dakord me kërkesën e disa kolegëve të tij për zgjerimin e listës pasi kjo do t’i bënte që disa prej futbollistëve të mos stërviteshin me grupin dhe për pasojë humori i tyre nuk do të ishte i mirë. Listat përfundimtare për Euro 2024 duhet të dorëzohen deri më 7 Qershor, shtatë ditë para fillimit të turneut.