Nga Artur Ajazi
Ajo ç’ka po ndodh mes rithemeluesve, nga mosbashkimi, deri tek rreziku i shpërbërjes pas humbjes në 2025, po tentohet të mbulohet me një lojë të ndyrë ndaj organeve të drejtësisë së re. “Sulmi, dhe pastaj tërheqja” mbetet refreni kryesor që po shoqëron rithemeluesit, në Parlament, në rrugica, tek sheshi para bashkisë Tiranë, apo dhe në emisionet televizive. Janë porositur nga kreu i tyre që “kur është fjala për Berishën, duhet ti biem SPAK-ut, Ramës etj”, dhe kur arrestohen drejtorët “duhet heshtur”.
Dyzimi mes deputetëve të Rithemelimit, e ka burimin tek skenari poshtërues ndaj organeve të drejtësisë së re, i skenuar dhe detajuar nga i vetmi njeri, që ka 34 vjet që merret me gjithçka, dhe gjithkënd, veçse me vehten. Loja me drejtësinë e re, duhet të marrë fund. Shqipëria po përjeton akoma dhe sot pas 34 vitesh, tranzicionin e dhimbshëm, mes një grupimi politikanësh të paskrupullt, që kanë marrë peng jetën e qytetarëve, pronën e tyre, të ardhmen e fëmijëve tanë.
SPAK-u, duhet ti nxjerrë “ujin e zi” çdo politikani që ka vjedhur prej 3 dekadash, që ka prekur paratë tona, që ka vjedhur pronat private dhe publike, që ka 34 vite që kapardiset majë kolltukut dhe posteve të larta të institucioneve, që paguhen nga taksat tona. Si ka mundësi në një vend anetar i NATO-s, të ndodhin këto monstruoritete, dhe askush të mos reagojë ? Si ka mundësi të pengohet, përgojohet, të bullizohet dhe përdhoset një institucion i lartë i drejtësisë, dhe askush nga shoqeria civile të mos reagojë ? Askush nga qytetarët, të mos ngrejë zërin, që shtetin e nëpërkëmbin një grusht njerëzish, super të pasur, dhe që tentojnë të krijojnë rrumpallë sociale çdo ditë ? Loja me drejtësinë, marrja peng e institucioneve nën petkun e “politikanit, deputetit apo opozitarit’, duhet të marrë fund sa më parë. Ata që minojnë të ardhmen përmes postit dhe mandatit, janë bashibozukë, dhe vendin e kanë para ligjit.
SPAK-u, nuk duhet të tërhiqet nga vendimet e marra, pse majë ballkonit apo në Parlament, dalin ca kollare të dhjamosura, dhe i bëjnë luftë verbale, dhe i tundin gishtin. Ka ardhur momenti që shqiptarët, të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin, të kenë financa të mjaftueshme për të jetuar, dhe të gëzojnë dhe lumturohen si popujt e gjithë Europës. Ata që kanë 34 vite që i kanë marrë gjithçka këtij populli, paratë, pronat, lirinë, demokracinë, të ardhmen, duhet të mbyllen në qelitë e burgjeve, të dënohen dhe të shpronësohen, ndryshe ky vend nuk ka gjasa të ecë përpara.
Një drejtësi e re, e reformuar, dhe e gatshme për tu përballur me krimin dhe korrupsionin e qarqeve të larta të politikës, nuk duhet të jetë një drejtësi që intimidohet nga një grusht lapanjozësh. Ndryshe, misioni i tyre, quhet i pamundur dhe i kompromentuar.