Seanca e sotme plenare ka nisur me diskutime mes palëve politike sa i takon kërkesës së PD për “interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama”. Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha se Rama duhet të japë llogari për atë që ai e cilëson ndërhyrje në lirinë e medias, referuar përgjigjies që kreu i qeverisë i dha emisionit të Rai3 për Shqipërinë.
“Ju po e bëni rrugë që kërkesat për interpelancë të grupit të PD, një pjesë i keni futur në sirtar, nga ana tjetër kërkesat për interpelancë me kryeministrin as nuk i njoftoni në seancë plenare. Në përputhje të plotë me rregulloren ka kërkuar interpelancë urgjente që duhet të ishte pikë e parë e rendit të ditës, mbi ndërhyrjen skandaloze që ka bërë në lirinë e medias. Kuvendi nuk ka frikë as ta thërrasë në interpelancë, as t’i kërkojë llogari, sikundër kryeministri nuk duhet të ketë frikë të vijë e të japë llogari për veprimtaritë e tij shtetërore. Për të njëjtën çështje një grup deputetësh në Senatin italian kanë thirrur për interpelancë kryeministren e Italisë Meloni. Prandaj, së pari informoni dhe pastaj na jepni kohë të sqarojmë kërkesën për interpelancë”, deklaroi Bardhi.
“Nuk është çështje për interpelancë sipas përcaktimeve të rregullores, aq më pak pastaj urgjente kur vetë program i Rai-t nuk ka urgjencë sepse vetë e ka shtyrë pjesën e dytë të emisionit”, tha Çuçi.
/a.r