Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi ka folur nga Shkodra për përgatitjen që po bën kjo strukturë për turin e ri të kryeministrit Rama në Shqipëri, dështimin e Reformës Zgjedhore dhe goditjet e SPAK në radhët e kësaj force politike. Ditën e djeshme, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dëshmoi mbi 7 orë në SPAK për Inceneratorin e Tiranës.
“Me Këshillin Koordinues në Shkodër vlerësuam procesin e rienergjizimit. Në 10-11 maj do të kemi votimin 1 anëtar 1 votë për delegatët e kongresit 50-50% burra e gra. 3/4 me anëtarë të rinj. Plotësojmë detyrat në kuadër të turit krenar për Shqipërinë që Rama do të ndërmarrë”, u shpreh Klosi.
Sa i përket zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm, Klosi u shpreh optimist. Ai tha se Partia Socialiste po punon shumë dhe kjo e bën sërish fituese në zgjedhjet e ardhshme.
“PS fiton sepse punon shumë. Përgjigja që morëm nga qytetarët ishte e jashtëzakonshme. Qarku Shkodër realizoi detyrat 200% me anëtarësimet e reja. Kërkonim 4 anëtare të rinj për çdo organizatë socialiste, pra 20 mijë anëtarë, ndërsa ne arritëm 32 mijë. Kjo na dha bindjen se jemi në rrugë të mbarë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi.
Sa i përket zgjedhjeve, jemi vetëm 1 vit nga dita e zgjedhjeve të 2025. Shumë pak kohë për një forcë politike që e ka seriozisht politikën, e ka seriozisht kontaktin me njerëzit. Për një forcë politike që kërkon marrjen e mandatit të katërt, të fitojë sërish siç ishte rasti zgjedhjeve vendore.
Klosi tha se drejtësia e re është realizuar me vullnetin e plotë dhe votat e PS-së.
“SPAK apo e gjithë drejtësia e re është një produkt i realizuar me vullnetin dhe me votat e PS. Një drejtësi e re e cila këtë duhet të arrinte në sytë e opinionit publik, pra që të gjykojë çdo rast që gjykohet se ka nevojë të analizohet, verifikuar apo më pas gjykuar. Nuk kemi asnjë shqetësim për sa i përket asaj që qytetarët duan në vendin tonë, që të ketë një drejtësi ku parimin e parë ka pandëshkueshmërinë. Ne do të jemi të hapur dhe nuk do të gjykojmë apo komentojmë asnjë veprim te drejtësisë së re. Kemi marrë vendim të mos komentojmë asnjë veprim të drejtësisë së re”, u shpreh ai.
Sa i përket dështimit të Reformës Zgjedhore, Klosi tha se kërkon edhe vullnetin dhe bashkëpunimin e opozitës. Ndërsa vota e emigrantëve mesa duket është e pamundur edhe në këto zgjedhje.
“Reforma kërkon 84 vota në kuvend. Ligjvënësi kur ka ndërtuar kushtetutën dhe ligjin ka menduar që do të ketë forca të përgjegjshme politike qe do të duhet të ulen ne tryezë të negociojnë mes tyre dhe të marrin vendime të rëndësishme për ligjet. Mungesa e vullnetit nga krahu i opozitës na la në një situatë e cila tashmë i është drejtuar parlamentit dhe besoj fort që kuvendi do të ketë vullnetin që me 84 vota të realizojë disa problematika që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore. Do të kishim shumë dëshirë të realizonim votën e emigrantëve, depolitizimin e komisioneve zgjedhore, por mungesa e opozitës shumë gjatë në atë komision, na e bëri të pamundur të gjenim diskutim apo vendimmarrje në komision”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PS-së.
/a.r