Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj e nisi turin e dytë të vizitave në rajonin e Kalabrisë nga Civita, (Çifti), një qytet në provincën e Kozencës, i ndërtuar nga një çift arbëreshësh më shumë se 500 vjet më parë.
Për të nderuar Kreun e Shtetit shqiptar, arbëreshët në Civita kishin organizuar një pritje zyrtare në institucionin e Këshillit Komunal, ku u shkëmbyen mendime për identitetin, kombin dhe ardhmërinë si edhe për zgjidhjen e problemeve dhe forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kalabrisë.
Në emër të banorëve arbëreshë në Civita, Kreut të Shtetit iu urua mirëseardhja në kishën e Civita-s nga famulltari i kishës, i cili ju drejtua Presidentit në arbërisht duke i thënë: “Kur ke hyrë në këtë kishë, ke hyrë në zemrën e besimit të arbëreshëve”. Historia e komunitetit është gdhendur në basolerievët e kësaj kishe, e cila është ndërtuar në vitin 1510.
Ndërsa Kryetari i bashkisë së Civita e vlerësoi Presidentin Begaj për këtë vizitë në Kalabri.
Vetë Kreu i Shtetit iu përgjigj duke u shprehur se thjesht kishte mbajtur një premtim të dhënë për këtë vizitë.
“Ne si shqiptarë kemi një proverb të vjetër, që thotë se fjala e dhënë dhe fjala e mbajtur janë shumë të rëndësishme. Para disa kohësh bëra një vizitë të parë këtu në rajonin e Kalabrisë dhe të gjithë kryetarët e komunave donin që unë t’i vizitoja.Iu premtova që do të vija sërish, sepse në një vizitë është e pamundur t’i shohësh të gjitha komunat dhe bashkitë arbëreshe në Itali. Dhe sot jam shumë i lumtur që realizova këtë dëshirë të kryetarit të bashkisë dhe natyrisht për emocionet e përftuara sot nga bujaria e qytetarëve të Civitës, nga mikpritja, këngët e kënduara shqip dhe veshjet e tyre. Kjo është shumë e rëndësishme për mua”, tha Begaj.
Një falënderim Presidenti Begaj përcolli dhe për Italinë fqinje, që siç hapi dyert për arbëreshët, të njëjtën qasje tregoi edhe ndaj shqiptarëve me ndihma gjatë viteve të vështira pas viteve ‘90, duke pritur emigrantët e dalë nga izolimi, e më vonë duke integruar Diasporën e re të Shqipërisë.
Gjatë qëndrimit në Civita, Presidenti Begaj vizitoi dhe muzeun etnografik, ku përmes veshjeve, pikturave dhe dokumenteve, tregohej historiku i këtij komuniteti. Civita, me autenticitetin në arkitekturë, ka frymëzuar piktorin Ibrahim Kodra, që e ndërkombëtarizoi identitetin arbnor përmes pasqyrimit në art të shtëpive të kësaj komune.
E gjithë kjo dëshmi e gjallë historike, sipas Presidentit Begaj, duhet përcjellë edhe te brezat e rinj.
Presidenti Begaj vlerësoi kontributin që arbëreshët i kanë dhënë kombit, ndërsa premtoi se do të jetë gjithmonë krah tyre për të vijuar me hapa të tjerë konkretë që i shërbejnë ruajtjes së arbërishtes. Arbëreshët janë pjesë e rëndësishme e kujtesës së kombit tonë. Ju jeni shembull i rrallë i ruajtjes së identitetit, historisë, gjuhës, kulturës e ritit u shpreh Presidenti Begaj.
/a.r
Nuku ka se çfarë të bëjë, dhe bën – ç’bën ky mavri presidenti e shkon një e dy në Itali tek Arbëreshët me gjithë gruan fyle njëçikë nga trutë…..