Disa nga fjalitë e zëdhënësit të Bashkimit Europian, Peter Stano, mbushën kupën e durimit në qeverinë e Kosovës. Zëdhënësi Përparim Kryeziu reagoi përmes platformës sociale X për të korrigjuar zyrtarin e Brukselit, duke paraqitur fakte për shkeljet që ka bërë Serbia në zbatimin apo respektimin e marrëveshjes së normalizimit.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës vendos theksin tek pranimi që bëri BE-ja se procesi i dialogut nuk ka shkuar mirë, por kundërshtoi qëndrimin se mungesa e progresit duhet t’u faturohet të dyja palëve. Kryeziu nënvizon listën e gjatë të shkeljeve që ka bërë Serbia në vetëm 2 javë pas pranimit të marrëveshjes bazike në shkurtin e vitit të kaluar. Ai shkruan se pavarësisht se bandat e dhunshme serbe nën dirigjimin e Listës Serbe dhunuan anëtarë të KFOR-it, gazetarë dhe policë të Kosovës, BE-ja vendosi masa kundër Kosovës dhe jo ndaj Serbisë.
Më pas, përmend rrëmbimin e 3 policëve brenda territorit të Kosovës, me prova të forta të shkeljes së integritetit territorial, por sërish Brukseli nuk ndëshkoi Beogradin.
Gjithashtu, përmend rastin e sulmit terrorist të Banjskës me vrasjen e heroit Bunjaku, ndërsa Milan Radoiçiç, i cili pranoi autorësinë, mbetet i lirë dhe takon zyrtrë të lartë shtetërorë.
Shkelja e radhës do të ishte ajo e ndalimit dhe keqtrajtimit të mijëra shtetasve të Kosovës në kufij nga Serbia, pa asnjë arsye, përfshirë këtu edhe anëtarë të komunitetit serb të Kosovës. Kryeziu thotë se sërish nuk pati asnjë masë të BE-së kundër Serbisë.
Zëdhënësi përmend edhe kundërshtimin publik të Beogradit ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, që shkel nenin 4 të marrëveshjes së normalizimit.
“Këto dhe shumë të tjera dëshmojnë se nuk bëhet fjalë për “faj të të dyja palëve”, përfundon Kryeziu.
/a.r