Ilir Osmani, një qytetar nga Elbasani, humbi jetën para disa ditësh në Pejë të Kosovës, pasi u përplas për vdekje nga një automjet.
Ngjarja që fillimisht u dyshua si aksidentale, rezulton se është vrasje e qëllimshme.
Emisioni Uniko nga Spartak Koka në televizionin Klan Plus e ka ndjekur këtë histori dhe ka zbardhur tërësisht ngjarjen.
Në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Pejës që po heton rastin, gazetari Spartak Koka ka depozituar prova dhe dëshmi lidhur me këtë ngjarje.
Shoferi i makinës që përplasi për vdekje Ilir Osmani është Serxhio Osmani 23 vjeç nga Elbasani, nipi i Donika Jonuzit. Donika Jonuzi ishte bashkëjetuesja e Ilir Osmanit.
BASHKËJETESA E ÇIFTIT DHE FËMIJA I ADOPTUAR
Ilir Osmani dhe Donika Jonuzi nga Elbasani bashkëjetonin prej 10 vitesh. Ata nuk ishin të celebruar zyrtarisht me dokumente, por bashkëjetonin me njëri-tjetrin në shtëpinë e nënës së Ilir Osmanit në Elbasan.
4 vite më parë, ata adoptuan një fëmijë. Fëmija, që për baba biologjik kishte vëllain e Donika Jonuzit, u adoptua që në ditën e lindjes nga Donika dhe bashkëjetuesi i saj Iliri. Procesi i birësimit u bë sipas ligjit, por djali, Denisi që sot është 4 vjeç, nuk u regjistrua zyrtarisht me prindër Ilirin dhe Donikën për shkak se çifti nuk ishte celebruar me dokumente, por thjesht bashkëjetonin. Në fakt, Donika Jonuzi rezulton të jetë e martuar në Francë me një shtetas francez më të madh në moshë se ajo. Nga divorci me të, pret që të përfitojë gjysmën e pasurisë së një prone.
LYPJA, NGA ELBASANI NË PEJË TË KOSOVËS
DYSHIME PËR PËRDORIMIN E DJALIT NË LYPJE
Disa ditë më parë, Ilir Osmani kishte shkuar në Pejë për të takuar Donikën që ishte aty bashkë me djalin 4-vjeçar, Denisin. Ilir kishte krijuar shumë afërsi me djalin e birësuar, dhe siç tregojnë familjarët, edhe Denisi e kërkonte shumë babain birësues.
Iliri Osmani dyshonte se bashkëjetuesja e tij Donika mund ta shfrytëzonte djalin e mitur për lypje në Pejë. Për këtë arsye kishte shkuar që ta merrte. Në Pejë ai ndodhej bashkë me të ëmën e tij. Kjo e fundit u largua prej andej dhe u kthye në Elbasan 2 ditë para se Iliri të përplasej për vdekje nga makina.
VRASJA E PARAMENDUAR ME MAKINË
Ilir Osmani u përplas për vdekje në Pejë nga një makinë Volkswagen Golf 5 që drejtohej nga 23-vjeçari Serxhio Jonuzi, nipi i Donika Jonuzit. Fillimisht u dyshua për aksident, por Prokuroria dhe Policia e Pejës, duke analizuar kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e dëshmitarëve okularë, rezulton se makina ka ndryshuar korsi dhe është futur mbi trotuar duke përplasur për vdekje Ilir Osmanin. Në momentin e përplasjes, sipas hetuesve rezulton që shoferi ka shtuar shpejtësinë dhe nuk ka shenja frenimi. Pra, kemi të bëjmë me vrasje të paramenduar. Serxhio Jonuzi është arrestuar nga autoritetet e Pejës në Kosovë.
DYSHIMET PËR ORGANIZIMIN E VRASJES NGA DONIKA JONUZI
Kur Ilir Osmani ndodhej në Pejë së bashku me nënën e tij, Donika Jonuzi i tha të ëmës së bashkëjetuesit që të kthehej në Elbasan se për dy ditë do të kthehej dhe Iliri. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Por Iliri u kthye i vdekur. Familjarët e Ilirit thonë se Donika është “peshku i madh dhe organizatorja” e vrasjes së Ilir Osmanit. Sipas tyre, por edhe sipas dyshimeve të grupit hetimor të Prokurorisë së Pejës, Donika kishte porositur nipin e saj që të përplaste me makinë Ilir Osmanin për të mbajtur e vetme Denisin 4-vjeçar me qëllim që ta shfrytëzonte për lypje në Pejë. Kjo për shkak se Iliri ishte kundër dhe nuk donte që djalin ta nxirrte për lypje. Nga ana tjetër, Donika e konsideronte si biznes lypjen në Pejë dhe përfitonte shuma të konsiderueshme. Kjo duket edhe në jetën e dyfishtë që bënte Donika Jonuzi, ku në fotot e siguruara nga emisioni Uniko ajo duket një njeri tërësisht ndryshe me veshje të tjera dhe makinë.
/a.r