Sa lehtë thuhet këto ditë „Gëzuar pashkët”. Dihet se është një shprehje e thënë miqësisht, por fsheh brenda dramatikën e festës. Pashkët janë festa e jetës dhe tregojnë se jeta është më e fortë se vdekja. Një teatër i madh botëror i braktisjes, dëshpërimit, shpëtimit dhe shpresës. E megjithatë ka tingëllimin e provokimi për besimtarët e jobesimtarët.
Në kuadër të javës së pashkëve 2016 ky provokim merr një dimension të ri. Terrori i Brukselit u solli vdekjen më shumë se 30 vetëve. Qindra të tjerë u plagosën, mijëra mbeten me zinë e dhimbjen për të afërmit e miqtë. Duket se të gjithë ndjehemi më të pasigurtë. Në Stamboll, Paris, Bruksel dhe në shumë vende të tjera të botës.
Dhimbja si pjesë e jetës
E premtja e Shenjtë është simbol i largimit nga zoti. Klithma e Jezusit në kryq është klithma e të dëshpëruarit. Gjithmonë, sidomos pas Aushvitcit ekziston ajo “pamundësia për të besuar” apo “shuarja e dëshirës për të besuar”. Kjo e Premte e Shenjtë i përket jetës. Gjithmonë.
Kreu i Këshillit të Kishës Evangjeliste, Heinrich Bedford-Strohm, u pyet këto ditë për shpresën në kohë terrori, lufte, mjerimi refugjatësh dhe rritje radikalizimi në shoqëri. „Pashkët nuk do të thonë të mos i japësh zë dhimbjes”, u përgjigj ipeshkvi. „Kjo festë reflekton humnerat njerëzore, por edhe dhimbjen e thellë. Të Premten e Shenjtë ne kujtojmë vdekjen e Jezu Krishtit. I kryqëzuar ai klithi: ‚Zoti im, zoti im, pse më braktise.‘” Zoti vuan me Jezu Krishtin. Kjo e bën atë të afërt me njeriun, të afërt sidomos me ata që kanë përjetuar ngjarjet si viktimat e sulmeve terroriste në Bruksel apo familjet e tyre.” Pikërisht kjo afri me njeriun është ajo që i jep jetë punës së teologëve apo dëgjohet në thirrjen e papës për mëshirim.
Vdekja nuk e ka fjalën e fundit
Zoti është i pa-fuqi-shëm, feja është e pa-fuqi-shme. Kush mendon se në emër të fesë do të ushtrojë pushtet mbi jetën e të tjerëve, do të ketë pushtet për të vrarë, ai gabon. Trashëgimia e shekullit të kaluar është që jeta është e shenjtë. Ne nuk duhet ta harrojmë këtë në debatet për refugjatët dhe harmoninë shoqërore nën frikën e terrorit dhe krenarinë tonë përballë terroristëve. Me të gjitha këto pashkët na kujtojnë se fjalën e fundit nuk e ka shkatërrimi dhe se besimi tek jeta fiton. Kur përmendet trashëgimia e krishterë e hebraike e Europës kihet parasysh edhe ky besim, si thelbi i kësaj trashëgimie.