Tri partitë opozitare që kanë formuar shtatë muaj më parë bllokun opozitar, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën”, po shkojnë drejt skenarit të bllokut të dikurshëm VLAN, i cili u shpërbë pas gjashtë muajve të krijimit.
Pavarësisht se tri subjektet politike tashmë nuk kanë marrëveshje për bashkëqeverisje, anulimi i protestës së të shtunës dhe deklaratat e përfaqësuesve të bllokut duke akuzuar njëri-tjetrin, nënkuptojnë plasaritje të fronit opozitar që çon drejt shpartallimit.
Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike në vend, të cilët thonë se ashtu siç u nda pas gjashtë muajsh bashkëpunimi i bllokut VLAN (“Vetëvendosje”-LDK-AAK-“Nisma”), tani mund të ndahet edhe blloku VAN. Në këtë formë do të mundë të shuhet ideja e formimit të një koalicioni parazgjedhor të subjekteve opozitare.