Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka reaguar lidhur me sulmin me tritol ndaj banesës së gjyqtarit në Shkodër, Tonin Sterkaj.
Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook, Manja kërkon zbardhjen e plotë të këtij rasti. Manja shprehet se kushdo që synon të intimidojë drejtësinë nuk do t’ja arrijë.
“Me Tonin Sterkajn më ka njohur puna si drejtues i Prokurorisë Shkodër, gjatë viteve 2002-2007 dhe miqësinë tonë të atyre kohëve të vështira e kemi pasurinë tonë më të madhe. Si mik dhe si koleg, sot, i kam shprehur Toninit dhe familjes së tij gjithë mbështetjen time!
Si Ministër i Drejtësisë, kërkoj nga organet kompetente të zbardhin sa më parë këtë akt të shëmtuar prej burracakësh që kërkon të intimidojë drejtësinë, por që nuk do ia arrijnë dot, aq më tepër me Tonin Sterkajn, gjyqtarin më të vjetër e më me përvojë që ka sistemi i drejtësisë sot në juridiksionin e shkallës së parë!
Sot jam në krah të Toninit dhe familjes së tij dhe jam i bindur se drejtësia do triumfojë dhe në këtë rast!” shprehet Manja.