Në mars 2023, Berisha fliste për agjentin e FBI, Charles McGonigal, duke akuzuar Ramën.
Sipas Berishës, kryeministri ka nxitur Tom Doshin që të akuzonte Metën për komplot për vrasje dhe se ishte qeveria ajo që organizoi takimin me agjentët e FBI.
Berisha: “Toma i paguante 5 milionë euro për hetim, McGonigalit, për të hetuar gjoja atentatin që gjoja i kishin organizuar. Pra hetimi në Vjenë, nuk u organizua nga Toma, por u organizua nga qeveria për Tomën, me qëllimin që njeriun që kishte zgjedhur për president, ta akuzonte për vrasës.
E keni parasysh se çfarë i thoshte Durim Bami, Tomës, që më ka thirrur Ilir Meta dhe më ka bërë këto e këto…”
Kryekëput ndryshe nga qëndrimet dhe deklarata e Berishës në vitin 2015 kur Tom Doshi denoncoi atë që u quajt plan për ta vrarë.
Në atë kohë Sali Berisha akuzonte Ilir Metën se kishte porositur vrasje. Të dy u përplasen ashpër në seancën e kuvendit të datës 5 mars të vitit 2015. Le ta risjellim:
Ilir Meta: E nise si lider demokracie dhe po e mbaron si aksioner pularie. Ky mezi po priste të ndodhte vrasja brenda maxhorancës.
Sali Berisha: Logjikë njerëzore mbi tokë, përveç logjikës së Ilir Metës, këtë nuk mund ta pranonte askush tjetër, përveç logjikës së atij që do të kapet pas çdo fije bari. Sot në botë nuk ka kryetar Parlamenti të akuzuar në këtë mënyrë, nga një deputet i maxhorancës.
Sali Berisha: Nga deputeti Tom Doshi.
Ilir Meta: Është miku juaj prej disa muajsh…
Sali Berisha: Vetëm sa fakton shkallën e krimit, sepse mor i mjerë…
Ilir Meta: Kush është i mjerë?
Sali Berisha: Ai që mendon që mund të shesë Doshin, si njeri të Sali Berishës. Tom Doshi është njeriu më i sulmuar nga Sali Berisha, bashkë me Koço Kokëdhimën. Ajo qe opozita kërkon me ngulm dhe e ka kërkesë të panegociueshme është dorëheqja e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për t’i hapur rrugë, siç thotë, mundësisë së një hetimi të papenguar nga pushteti.
Hapni rrugën e hetimit! Jep dorëheqjen nga Parlamenti! Mos shfrytëzo votat e krimit për të qëndruar në postin që je. Je kokë e qelbur! Jep dorëheqjen!
Ilir Meta: Mos ulërit, doktor, të lutem! Jepjani ilaçet doktorit, sepse kemi përgjegjësi për shëndetin e doktorit! Përgjigjja ime për sa thua doktor është kjo: Unë për ty bëj çdo sakrificë, por për Shkëlzen Berishën e kam dhënë një herë dorëheqjen, dy herë nuk e jap për Shkëlzen Berishën.
Mos u bëj pjesë e ‘puçit të pularisë’ me Tom Doshin dhe Dritan Priftin si aksioner. Po ta bëj këtë gjë në mënyrën më miqësore, për ty bëj çdo gjë, por jo për Zenin…
Ulu tani doktor, se nuk ke moshë për të ngrohur vezët e krimit! Ti je njeri serioz…Ti të jesh i bindur se do të përfundosh anëtar i partisë së Tomës. Toma e ka gabim që të hapë parti të re, se gati e ka partinë Toma…
Sali Berisha: Këto janë përpëlitjet e atij që mbytet, por ti s’mund të mbysësh vendin për veten tënde!
Ilir Meta: Për Zenin dhe për Dritan Priftin e kam dhënë njëherë dorëheqjen. Se të kërcënon ty Dritani, me videot e Zenit dhe bashkë me Tomën kjo është çështje tjetër nuk është çështja ime
Sali Berisha: Unë u them shqiptarëve, që ky (Meta) është e zeza e vendit.
Ngjarjet nuk zbardhen me ty kryetar parlamenti. Për 700 mijë euro dhe dorëheqjen herën e parë…
Ilir Meta: E dhashë prej Shkëlzenit dorëheqjen, sepse Shkëlzeni ishte në videot e Dritan Priftit dhe më the: ‘shiko cfarë më ka bërë ky budallai!’ Vazhdo merr mendjen e Shkëlzenit akoma, çfarë të bëj unë?
Sali Berisha: Me këto gjëra që thua vetëm e zhyt veten më thellë. Ne kurrë s’do të pranojmë që Parlamentin ta udhëheqë një njeri i akuzuar për dy vrasje. (Dita)