Gjykata Kushtetuese ka pranuar padinë Grupit të Partisë Demokratike për ligjin për taksimin e profesioneve të lira.
Kushtetuesja ka vendosur “kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike si dhe thirrjen në këtë gjykim, në cilësinë e subjekteve të interesuara, Kuvendin e Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave.”
Togat e zeza kanë kërkuar që Grupi i PD-së të paraqesë argumente shtesë, nëse kanë brenda datës 21 maj.
Vendimi i Kushtetueses:
Ju njoftojmë se në shqyrtimin paraprak të kërkesës së kërkuesve jo më pak se 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimi i nenit 24, pika 2 nenit 69, pika 1. germa “d”, fjalia e dytë, të ligjit nr. 29/2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, i ndryshuar, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 05.04.2024, bazuar në nenin 21, pika 1, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, (ligji nr. 8577/2000), ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike si dhe thirrjen në këtë gjykim, në cilësinë e subjekteve të interesuara, Kuvendin e Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave.
Për zhvillimin sa më të plotë të këtij gjykimi, Gjykata Kushtetuese e çmon të nevojshme vënien në dispozicion, brenda datës 21.05.2024, të parashtrimeve me shkrim, nëse keni argumente shtesë për kërkesën e paraqitur. Parashtrimet, si dhe çdo dokument/material të paraqitet në aq kopje sa janë palët.
Gjithashtu, ju informojmë se mund të paraqiteni në Gjykatën Kushtetuese për studimin e dosjes gjyqësore për këtë çështje, pas komunikimit paraprakisht në numrin 042232373.
Kërkesa, parashtrimet, si dhe materialet e paraqitura prej jush do t’u komunikohen edhe palëve të tjera pjesëmarrëse në këtë proces.
Tatimi i profesioneve të lira
Me nisjen e zbatimit nga 1 janari 2024 të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” fitimet e bizneseve të profesioneve të lira do të tatohen nga 15 deri 23% pas zbritjes së shpenzimeve nga të ardhurat vjetore.
Administrata Tatimore ju ka dërguar shkresë bizneseve duke i njoftuar që janë pjesë e listës së profesioneve të lira të miratuar nga qeveria, për këtë arsye nga 1 janari 2024 do të tatohen 15%.
Në shkresën e tatimeve dërguar bizneseve të profesioneve të lira sqarohet se për llogaritjen e tatimit paraprak të vitit 2024, do të përdoren të dhënat që kjo kategori biznesesh do të deklarojnë për të ardhurat dhe shpenzimet e 2023.
Konkretisht, të dhënat e deklaruara për të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin e tatueshëm, që bizneset do të deklarojnë për vitin 2023, do të jenë objekt i vlerësimit nga Administrata Tatimore për përllogaritjen e tatim fitimit paraprak gjatë vitit 2024.
Kjo skemë është e njëjtë me atë që përdoret për bizneset e mëdha, të cilat e parapaguajnë tatim fitimin bazuar në fitimet e viteve të mëparshme.
/a.r