Ervisi është djali më i madh i Fiqiri Muçës, i cili ishte 15 vjeç në kohën kur babai i tij u vra nga vajza që ai kishte përdhunuar që në moshën 14-vjeçare.
Sot, 19 vjeç ai ndihet i detyruar për të vënë vetëgjyqësi, me vendimin e presidentit Bujar Nishani për të falur Nazime Vishën, të cilët i kishin mbetur edhe tre vjet burg nga vuajtja e dënimit për vrasjen e babait të tij.
Shteti sipas tij në këtë mënyrë e nxit krimin.
“Presidenti me këtë veprim na ka ofenduar shumë rëndë dhe na detyron të bëjmë vetëgjyqësi. Nazimja ka vrarë një person dhe duhet të vuajë dënimin që meriton për këtë vepër. Prandaj nuk ka stabilitet vendi nga krimet, sepse shteti nuk mundet të vërë drejtësi dhe familjarët pastaj detyrohen të futen në gjak me kundërshtarët. Presidenti ka bërë shumë gabim që fali një vrasëse”, ishte reagimi i Ervisit, i pyetur nga “Panorama”.
Sipas tij, pavarësisht se mund të jetë penduar, autorja ka kryer një krim dhe duhet të vuajë pasojat.
“Nëse nuk dënohesh për vrasje, atëherë marrim armët dhe vrasim të gjithë. Jam shumë i pakënaqur nga trajtimi që i është bërë kësaj ngjarjeje që nga fillimi. Fillimisht u manipuluan provat dhe u tha se kishte ndodhur për vetëmbrojtje, ndërsa kur dolën në dritë SMS-të, rifilluan hetimet nga fillimi. Nuk jam i kënaqur gjithashtu me qëndrimin e shoqërisë civile dhe Ministrisë së Drejtësisë, e cila e shkeli drejtësinë me të dyja këmbët”, tha Ervis Muça.