H.Shala ishte vetëm 25-vjeç. Ai humbi tragjikisht jetën të hënën në provincën e Veronës në Itali, si pasojë e një aksidenti automobilistik. I riu me origjinë shqiptare jetonte në Pisa dhe ishte baba i një vajze të vogël.
Ai ishte në drejtim të kamionit kur u përplas me një furgon. Të dyja mjete udhëtonin drejt Modenas kur u përplasën me njëri-tjetrin, në rrethana momentalisht të paqarta. Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikëses dhe ekipit të emergjencës, 25-vjeçari nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë.
Sipas asaj që shkruajnë mediat fqinje, Shala ishte shumë i njohur në qytetin ku jetonte. Prej disa kohësh ai punonte si kamionist, punë që e çonte shpesh me ditë larg shtëpisë.
Familja Shala ishte prekur nga një tjetër ngjarje e rëndë pak vite më parë. Në Tetor të 2021, kushëriri i 25-vjeçarit ishte shuar po ashtu në një aksident. Besmiri, vetëm 29-vjeç, humbi tragjikisht jetën teksa udhëtonte me motor. Ai humbi kontrollin e mjetit në rrethrrotullim dhe u përplas me një pemë.
/a.r