Ka hapur dyert shkolla e re 9-vjeçare “Demokracia” në Valias të Kamzës. Kjo shkollë është rindërtuar me fondet e qeverisë shqiptare në kuadër të Programit të Rindërtimit.
Të pranishëm në inspektimin e shkollës nga themelet ishin kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe Kryetari i Bashkisë Kamëz Rakip Suli.
Manastirliu tha se Për vitin 2024-2025 hapim kantieret për 40 shkolla në gjithë vendin, ndërsa në total do përfundohen 100 objekte arsimore.
“Kjo shkollë është një prej 38 objekteve arsimore që janë rindërtuar në Bashkinë Kamëz. Për vitin 2024-2025 hapim kantieret për 40 shkolla, palestra dhe terrene sportive, ndërkohë që përfundojmë projektet sa i përket rindërtimit, por edhe me mbështetje të partnerëve tanë, 100 objekte arsimore në gjithë vendin brenda 2024”, tha Ministrja Manastirliu.
Ky kompleks arsimor i shtrirë në 4,400 m2, përfshin përveç shkollës 9-vjeçare “Demokracia” edhe kopshtin dhe çerdhe që tashmë kanë hapur dyert për 700 nxënës, fëmijë, mësues dhe edukatorë.
Shkolla 9-vjeçare “Demokracia” është një investim i qeverisë shqiptare prej 380 milion lekë, një shkollë model, sipas të gjitha standardeve, me klasa komode dhe ambiente për laboratorë, bibliotekë, sallë aktivitetesh, auditor prej 180 vendesh, palestër, ambiente sportive e hapësira rekreative, në shërbim të gjithë komunitetit të zonës së Valiasit të ri të bashkisë Kamëz./m.j