Konkurrenca dhe konfliktet janë dy nga pistat në të cilat po heton policia për atentatin e djeshëm në Shkodër, ndaj biznesmenit Berhan Vishnja, shkruan Panorama.
Këtij të fundit iu bë pritë në kryqëzimin e Zdrales, pranë stadiumit “Loro Boriçi” nga persona të paidentifikuar dhe të maskuar me kokore motorësh.
Dyshohet se autorët kanë pasur për qëllim vrasjen, por ndonëse ata qëlluan tri herë në drejtim të tij, plumbat fatmirësisht nuk i prekën organet jetësore. Mësohet se Byrhan Vishnja në vendin ku ndodhi ngjarja ka disa dyqane.
Prej vitesh ai merret me tregti, ndaj dhe dyshimi kryesor lidhet për shkak të bizneseve dhe konkurrencës.
Një tjetër pistë në të cilën po hetohet është edhe ndonjë tentativë e mundshme grabitjeje, gjithsesi nga verifikimi i pamjeve në kamerat e sigurisë nuk rezulton të ketë qenë kjo qëllimi i autorëve.
Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se janë duke hetuar edhe për ndonjë konflikt që mund të ketë pasur biznesmeni 52-vjeçar, ndonëse vetë ky i fundit e ka mohuar për grupin hetimor një fakt të tillë.
Policia bëri të ditur se janë duke hetuar pa përjashtuar asnjë pistë, ndërsa identifikimi i autorëve është mjaft i vështirë, pasi ata kanë pasur skafandra në kokë.
Blutë nuk japin të dhëna në lidhje me mjetin motor me të cilin u larguan autorët, nëse ka pasur targë apo ndonjë të dhënë tjetër që i shërben hetimit dhe identifikimit të tyre.
Panorama