Ish-deputeti i PD, Mark Marku ka treguar gjatë një rrëfimi ndryshe në podcastin “Flasim” me Edi Ramën se ka kërkuar Rithemelimi e PD që në kohën kur kjo forcë ishte në pushtet.
Mark Marku ka treguar se platformën e tij e ka publikuar edhe në media, ndërkohë që është akuzuar nga demokratët se donte të rrëzonte qeverinë.
Ish-deputeti demokrat theksoi se nuk ishte aty për t’u bërë drejtor apo ministër, por sepse mendonte që mund të ndikonte, teksa shtoi “thosha në qoftë se vazhdon kështu do ta humbin pushtetin”.
“Pra kam menduar, po do shkoj dhe pastaj dhe herën e parë që unë e pashë që shumë gjera nuk funksiononin jam shprehur dhe rithemelimin e PD unë e kam kërkuar kur PD ishte në pushtet në 2011 dhe publikisht dhe me dy faqe gazete Panorama dhe në Top Channel në emisionin kryesor.
Atëherë thoshin çfarë kërkon ky, ne jemi në pushtet, ne jemi rehat, ne jemi mirë, ky kërkon që ne të humbim pushtetin etj dhe unë thosha nëqoftëse ne vazhdojmë kështu në 2011, duke iu qëndruar bindjeve të mia se ajo ishte arsyeja pse isha aty se për çfarë do isha unë aty?
Që të bëhesha drejtor, apo që të bëhesha ministër apo që të emëroja drejtor apo ministra. Jo, isha aty se mendoja se mund të ndikoj dhe dëshira për ndikim dhe po them e vetmja arsye është pse të mos ndikosh në qoftë se ke mundësi të ndikosh dhe thosha në qoftë se vazhdon kështu do ta humbin pushtetin por dhe në qoftë se fiton do fitojë për të keqen e shqiptarëve kështu siç është, një mandat të tretë siç ishte mandati i 2013”, deklaroi ish-deputeti demokrat.
“Të them të drejtën e shikoja Bashën, kryetarin e atëhershme të PD dhe të opozitës, si një, po themi format të përshtatshëm që mund të sillte diçka të re në politikën shqiptare. Pra atë që të tjerët e quanin si dobësi lidershipin, unë ia quaja përparësi. Pse? Sepse mendoja dhe ia kam thënë sa herë bisedoja me të: Ti nuk je lider i fortë, bëhu i fortë duke qenë lider i dobët dhe duke shfaqur profilin e një lideri i cili qeveris, pra krijon mozaik dhe ti je guri”, tha Mark Marku./m.j